Ka një ngjyrë të verdhë shumë të këndshme për t’u parë, një shije të ëmbël, freskuese dhe ndihmon në hidratim. Bëhet fjalë për ananasin, i cili ka të gjitha cilësitë për të qenë një mik në ditët e nxehta të verës.
Nëse kësaj i shtojmë faktin që favorizon sensin e ngopjes me pak kalori dhe që kontribuon në eliminimin e lëngjeve të tepërta, duke luftuar kështu fryrjet dhe celulitin, nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta shtojmë në dietën tonë të përditshme.
Ananasi kultivohet kryesisht në vendet e Amerikës jugore dhe i përket familjes Bromeliaceae, me origjinë nga Amerika jugore, Tailanda dhe Filipinet. Sot është e thjeshtë të gjesh ananas në çdo stinë në dyqane dhe markete.
Për të shijuar përfitimet e këtij fruti, duhet të konsumohet i freskët, pasi trajtimet dhe përpunimet të cilave i nënshtrohet kur futet nëpër kuti, mund të shkatërrojnë cilësitë ushqyese dhe kurative që përmban. Mbi të gjitha, frutit të konservuar i shtohet edhe sheqer, duke shtuar në mënyrë të ndjeshme kaloritë.
Vlerat ushqyese
Ananasi ka shumë vlera ushqyese. Ai është i njohur veçanërisht për efektet pozitive që ka për tretjen, me efekte të mrekullueshme kundër celulitit. Edhe pse është i ëmbël, fruti përmban pak kalori (vetëm 42 për 100 gramë), ndaj është shumë i përshtatshëm edhe për dietat me pak kalori.
Është shumë i pasur me ujë dhe ka karbohidratet në formën e sheqerit, sidomos glukozë, sakarozë dhe fruktozë. Ananasi është i varfër me fibra, ndërkohë që është një burim i vërtetë i vitaminës C dhe potasiumit e magnezit. Ai është i pasur me bromelina, një bashkim enzimash që kryejnë një funksion të rëndësishëm tretjeje dhe stimulojnë metabolizmin.
Për bukurinë
Ananasi ka cilësi të mira kundër rrudhave dhe shpesh përdoret në kozmetikë, duke shfrytëzuar cilësitë hidratuese dhe zbutëse në përgatitjet për produktet që zbusin dhe pastrojnë lëkurën.
Cilësia më e njohur e ananasit është fakti që është antiinflamator dhe falë bromelinës, eviton grumbullimin e lëngjeve të tepërta, duke qenë kështu një anti-celulit shumë i mirë dhe gjendet më së shumti në kërcellin e ananasit.
E mira e ananasit
Fruti është shumë i përdorshëm për preparate të ndryshme. Mënyra më e mirë për ta shijuar është të konsumohet si frut më vete ose me një sallatë frutash.
Ai gjithashtu mund të përdoret në mish ose peshk, i shtrydhur apo me kos. Gjithashtu mund të përdoret për të aromatizuar ujin, duke i shtuar ujit ananas dhe ndonjë gjethe menteje. Lihet në frigorifer dhe pastaj konsumohet, shkruan “oranews”.
Disa këshilla
Edhe pse fruti është i pasur me cilësi të dobishme, ka vend për këshilla. Personat që vuajnë nga çrregullimet e veshkave duhet të tregojnë kujdes me përdorimin e ananasit dhe asnjëherë pa rekomandimin e mjekut. E njëjta gjë vlen edhe për ata që vuajnë nga mpiksja e gjakut, pasi bromelina shton rrjedhjen e gjakut, ndaj efekti i tij mund t’i ngjajë efektit të ilaçeve dhe bën që të ekspozohesh ndaj hemorragjive.
Duhet patur kujdes edhe nëse personi që konsumon ananas po merr antibiotikë, pasi bromelina fuqizon përthithjen e amoxicilinës.