Microsoft njoftoi në një postim në blog se shfletuesi Edge tani është dukshëm më i shpejtë se më parë.
“Përmes përpjekjeve gjatë muajve të fundit, kemi arritur një moment të rëndësishëm: kemi arritur një First Contentful Paint (FCP) global nën 300 milisekonda”, tha kompania, transmeton Telegrafi.
FCP mat se sa shpejt shfletuesi fillon të shfaqë përmbajtjen në një faqe interneti, dhe një vlerë nën 300 milisekonda do të thotë që përmbajtja shfaqet pothuajse menjëherë.
Microsoft thekson se kohët e ngarkimit mbi 300 deri në 400 milisekonda, mund të kenë një ndikim negativ në përvojën e përdoruesit.
Duhet të theksohet se FCP nuk është e njëjta gjë me një faqe të ngarkuar plotësisht.
Sipas Microsoft, Edge ka arritur një mesatare prej 40 përqind kohë ngarkimi më të shpejta për 13 veçori kryesore, duke përfshirë cilësimet, leximin me zë të lartë, ndarjen e ekranit dhe hapësirat e punës.
Mund të shihni një demonstrim në videon e bashkangjitur.