Sunny Hill Festival

Gjykimi për vrasjen e Liridonës vazhdon sot, pritet të dëshmoj vëllai i saj

Sot (e hënë), nga ora 09:00, në Gjykatën Themelore të Prishtinës do të vazhdojë seanca gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, një ngjarje që ka tronditur opinionin publik.

Sipas juristes për media, Flutura Kusari, gjatë seancës pritet të dëshmojë vëllai i viktimës, Leonard Ademaj, nëse nuk do të ketë ndonjë ndryshim në agjendë. Lajmi u bë i ditur përmes një postimi të saj në rrjetin social Facebook.

“Nesër në 9.00 vazhdon gjykimi në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Pritet që nesër të dëshmojë vllau i Liridonës, Leonardi (nëse nuk ka ndonjë ndryshim). Shpresoj që mediat do të na bashkohen në ndjekjen e seancës”, ka shkruar Kusari.

Ndërkohë, para dy ditësh, Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar vlerësimin psikiatrik ndaj Naim Murselit, i cili akuzohet për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridonës.

Sipas raportit të institutit, Naim Murseli nuk vuan nga ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore, e as nga ndonjë gjendje e përkohshme që do të ndikonte në gjykimin apo perceptimin e realitetit.

Ekspertiza forenzike thekson se në momentin e kryerjes së veprës penale, Murseli ka qenë i vetëdijshëm për veprimet e tij dhe nuk ka pasur ndonjë gjendje psikologjike që do ta bënte të paaftë për të kuptuar rëndësinë e veprës apo për ta kontrolluar sjelljen e vet.

Po ashtu, nuk janë gjetur shenja të abuzimit me substanca narkotike apo alkool.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.

Sipas aktakuzës, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, gjatë të cilave kanë lindur mllefi dhe dëshira për hakmarrje tek i pandehuri i parë Naim Murseli, ky i fundit ka bërë planin ta largojë tani të ndjerën Liridona nga jeta e tij.

Në aktakuzë thuhet se pas datës 25 qershor 2022, kur është paguar polica e sigurimit jetësor në emër të Liridona Murselit me kompaninë Folksam, në shumën prej 3.000.000 kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes të ketë edhe dobi financiare, Naimi të pandehurit të tretë (Kushtrim Kokalla), ia ka shpalosur planin e likuidimit të bashkëshortes së tij dhe nga ai ka kërkuar të gjejë mundësi për vrasjen e saj.