Sunny Hill Festival

Dy vjet nga sulmi në Banjskë, terroristët ende të lirë

Janë bërë dy vjet që prej se ndodhi sulmi terrorist në Banjskë, në të cilin u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. E edhe pse kanë kaluar dy vjet dhe përgjegjësinë e ka marrë Milan Radoiçiq, ai dhe dhjetëra të dyshuar janë ende të lirë në Serbi.

Grupi i organizuar pati vrarë Bunjakun në një pritë në veri, ndërsa gjatë ikjes ishte mobilizuar në fshatin Banjskë. Pamjet nga droni kanë kapur fytyrat e dhjetëra të dyshuarve, ndërsa ato kanë shfaqur edhe momentet e ikjes së tyre.

Policia e Kosovës pati kapur arsenal armësh pas sulmit për të cilin Kosova e akuzon direkt shtetin e Serbisë.

Nga grupi terrorist tre persona të akuzuar ndodhen në paraburgim. E më 11 shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Radoiçiqit dhe mbi 40 të tjerëve. Por që të gjithë ndodhen në Serbi.

Madje ish-nënkryetari i Listës Serbe ishte lënë i lirë pasi ishte marrë në pyetje në Beograd në tetor të 2023-s.

Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë kanë tentuar ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës e t’ia bashkojnë R. së Serbisë, me ç’rast, si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile.

Për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, dhe të akuzuar të tjerë ka fletarrestim ndërkombëtar, pasi janë në arrati.

Lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 të pandehurve – Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesa Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Smigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Dukiq, Danillo Virijeviq, Alleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedeljkoviq, Nikolla Illiq dhe Vladan Illiq.

Aktakuza i ngarkon ata me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës. Në aktakuzë thuhet se ky grup, nëpërmjet përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar që “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”. Si lider i këtij grupi është identifikuar Radoiçiqi, për të cilin thuhet se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale. Radoiçiqi gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe të Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.

Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnjë-Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Në këtë dyvjetor, Policia e Kosovës ka organizuar aktivitete për shënimin e dyvjetorit të rënies së Afrim Bunjaku. Udhëheqësit shtetërorë do të bëjnë homazhe te varri i tij e më pas do të ketë edhe akademi përkujtimore.