Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po forcon mbështetjen e saj për sektorin financiar të Kosovës përmes një pakete të re financiare prej 20 milionë eurosh për NLB Bankën Prishtina. Ky investim synon të zgjerojë qasjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) në financim dhe të nxisë transformimin digjital në vend.
Paketa përbëhet nga dy komponentë kryesorë:
Një hua deri në 15 milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që përfaqëson linjën e dytë të kredisë për NVM-të nga BERZH për NLB Bankën Prishtina. Ky financim do të ndihmojë në rritjen e sipërmarrjes dhe konkurrueshmërisë në treg, duke synuar që së paku gjysma e fondeve të përdoren për projekte të gjelbra, përfshirë efiçiencën e energjisë, energjinë e rinovueshme dhe investimet e qëndrueshme.

Një hua deri në 5 milionë euro në kuadër të programit të BERZH-it “Go Digital in the Western Balkans”, të mbështetur nga Bashkimi Evropian (BE). Kjo nismë do t’u mundësojë NVM-ve të investojnë në automatizim, digjitalizim dhe teknologji të gjelbra, ku të paktën 60% e investimeve do të jenë në përputhje me standardet e Tranzicionit në Ekonominë e Gjelbër (GET). Përveç financimit, bizneset do të përfitojnë grante deri në 10% të shumës së huasë dhe asistencë teknike të ofruar përmes WBIF, si dhe mbështetje të posaçme për ndërmarrjet e udhëhequra nga gratë.
Sergiy Maslichenko, Drejtor i BERZH-it për Kosovën, deklaroi: “NVM-të janë shtylla kurrizore e ekonomisë së Kosovës. Mbështetja e rritjes, konkurrueshmërisë dhe digjitalizimit të tyre është thelbësore për misionin tonë. Kjo paketë financiare me NLB Banka Prishtina do t’u mundësojë bizneseve të investojnë në inovacion, qëndrueshmëri dhe teknologji të gjelbra, duke forcuar gjithashtu rolin e grave në sipërmarrje.”
Ndërkohë, Gem Maloku, Kryetar i Bordit Ekzekutiv të NLB Banka në Kosovë, tha:
“Ky partneritet me BERZH-in shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet tona për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe qëndrueshmërinë e vendit. Përmes kësaj pakete, po fuqizojmë bizneset vendore të përqafojnë inovacionin, transformimin digjital dhe zhvillimin e gjelbër. Mbështetja e NVM-ve në këtë tranzicion është thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për Kosovën.”
NLB Banka Prishtina, pjesë e Grupit NLB me seli në Slloveni, është banka e dytë më e madhe tregtare në Kosovë dhe një partnere e rëndësishme e BERZH-it në përkrahje të sektorit privat.
Deri më sot, BERZH mbetet investitori institucional kryesor në Kosovë, me një portofol kumulativ prej 827 milionë eurosh të investuara në 133 projekte në fusha të ndryshme të zhvillimit ekonomik.