Në Novobërdë kanë filluar punimet për restaurimin e shtëpisë së Murtez Novobërdaliut. Sipas informatave kjo është një prej shtëpive më të vjetra të zonës, si pjesë e projektit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Projekti synon ruajtjen dhe valorizimin e trashëgimisë kulturore të kësaj komune, e cila njihet për historinë dhe arkitekturën e saj karakteristike.

Sipas njoftimit të vendosur në terren, restaurimi po realizohet në kuadër të programit për mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore, dhe punimet përfshijnë intervenime konservuese dhe rikonstruktive, me qëllim që objekti të rikthehet në gjendjen e tij origjinale.

Ky projekt konsiderohet një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e historisë së Novobërdës dhe për ruajtjen e identitetit kulturor të zonës, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin e turizmit kulturor në rajon.