Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike (FIM) në Universitetin e Prishtinës po hap rrugën drejt një bashkëpunimi të ri me sektorin privat. Dekani i FIM-it, Prof. Mirlind Bruçi, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e kompanisë ENTERNET, me të cilët është diskutuar për mundësitë e krijimit të partneritetit mes dy institucioneve.
ENTERNET, kompani e themeluar në vitin 2008, vepron në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke ofruar shërbime të shitjes dhe mirëmbajtjes së pajisjeve elektronike fiskale dhe pajisjeve përcjellëse. Kompania aktualisht operon në shtatë qendra kryesore në vend: Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Ferizaj, Gjakovë dhe Gjilan. Ajo numëron një staf prej 25 teknikësh të autorizuar, të trajnuar dhe të certifikuar, duke e bërë ENTERNET një nga operatorët më të besueshëm në fushën e pajisjeve fiskale.
Gjatë takimit u konfirmua se javën e ardhshme pritet të nënshkruhet një marrëveshje zyrtare bashkëpunimi. Kjo marrëveshje do të mundësojë zhvillimin e praktikave profesionale për studentët e FIM-it, realizimin e projekteve të përbashkëta, si dhe shkëmbimin e njohurive dhe përvojave profesionale mes stafit të fakultetit dhe ekspertëve të kompanisë.
Ky bashkëpunim pritet të krijojë ura të reja lidhëse mes akademisë dhe tregut të punës, duke ofruar mundësi të rëndësishme për studentët që të jenë më të përgatitur për sfidat profesionale pas studimeve.