Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka marrë vendim që për një kohë të pacaktuar të ndalë testimin për COVID-19 të rasteve të kontaktit.
Sipas një vendimi që e ka përcjellë në komuna, Ministria e Shëndetësisë me rekomandim të IKSHPK-së nga tani do të bëjë testimin vetëm të të hospitalizuarve në Klinikën Infektive dhe të atyre me simptoma të rënda të virusit.
Një vendim të tillë e kanë konfirmuar për “Zërin” tri komuna të ndryshme në Kosovë.
Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismjali, ka thënë se sot nuk do të ketë testime dhe presin rezultatin e mbi 100 mostrave që janë marrë ditë më parë, ndërsa ka thënë se një vendim i lëshuar mbrëmë nga Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se nuk do të ketë testime të reja.
“Janë pa u përfunduar edhe mbi 100 mostra të marra më datat 19-20. Sa kam informata, sot nuk ka mostra të marra për shkak të një vendimi nga Ministria e Shëndetësisë në koordinim me IKSHPK-në. Jo vetëm për ne, por është vendim i përgjithshëm, përveç të atyre që janë të shtrirë në Klinikën Infektive ose që kanë simptoma më të rënda të virusit, nuk do të testohen të tjerë”, ka thënë Ismajli për “Zërin”.
Po ashtu edhe drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka konfirmuar këtë, duke thënë se nga tani do të testohen vetëm rastet me simptoma.
“Vetëm rastet me simptoma do të mundë të testohen tani e tutje”, ka thënë Gashi për “Zërin”.
Të njëjtën e ka konfirmuar edhe drejtori i Shëndetësisë në Drenas, Arsim Haxhiu, i cili ka thënë se kanë marrë udhëzime që nuk do të testohen rastet e kontaktit.
Ai tha se qytetarët dhe institucionet duhet t’i përmbahen manualit të përpiluar nga Ministria e Shëndetësisë.
“Zëri” ka provuar të flasë edhe me zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë, por ata nuk u janë përgjigjur thirrjeve.
Ditëve të fundit në Kosovë ka pasur shtim të rasteve të reja me koronavirus, ku deri tani janë konfirmuar 1.086 raste aktive.