Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) ka njoftuar se po përballet me vështirësi serioze në balancimin e sistemit elektroenergjetik në kohë reale, si pasojë e devijimeve të mëdha ndërmjet energjisë së nominuar dhe kërkesës reale të konsumatorëve.
Sipas njoftimit zyrtar, më 20 janar, kompania KESCO ka nominuar rreth 26.17 për qind më pak energji elektrike sesa ishte kërkesa reale për konsum. Si pasojë e këtij mospërputhjeje, Zona e Kontrollit e KOSTT-it ka hyrë në jo-balanca mesatare prej rreth 211 megavat-orë, ndërsa në disa intervale kohore devijimet kanë tejkaluar edhe 260 megavat-orë.
“Kjo situatë është e papranueshme dhe cenon stabilitetin e sistemit elektroenergjetik”, ka vlerësuar KOSTT, duke paralajmëruar se devijime të tilla përbëjnë rrezik serioz për sigurinë e furnizimit me energji elektrike në vend.
KOSTT u ka bërë thirrje palëve përgjegjëse që nominimet e energjisë të reflektojnë sa më saktë kërkesën reale dhe të korrigjohen menjëherë, me qëllim shmangien e devijimeve të mëtejshme dhe ruajtjen e funksionimit të sigurt të sistemit.
Për shkak të gjendjes së krijuar, ky operator ka bërë të ditur se është detyruar të kërkojë aplikimin e kufizimeve të ngarkesës, si masë e fundit për garantimin e operimit të sigurt të sistemit, deri në stabilizimin e situatës.
Ndryshe, rreth një javë më parë KOSTT kishte njoftuar për normalizim të gjendjes në sistemin elektroenergjetik, duke theksuar rritjen e prodhimit vendor dhe zbatimin e masave të koordinuara për balancimin e ngarkesës dhe përmirësimin e furnizimit me energji.