Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka rikujtuar se Rregullorja për Licencimin e Operatorëve të Shërbimeve të Kripto-Aseteve me aktivitet këmbimi ka hyrë në fuqi më 29 nëntor 2025, duke shënuar hapin e parë drejt rregullimit gradual të këtij sektori dhe rritjes së transparencës në vend.
Me hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje, të gjitha subjektet që ofrojnë shërbime të kripto-aseteve obligohen që brenda një afati prej 90 ditësh, respektivisht deri më 1 mars 2026, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për aplikim për licencë dhe për përshtatje të plotë me kërkesat e përcaktuara, në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-295 për Kripto-Asete.
Gjatë periudhës kalimtare, BQK ka zhvilluar aktivitete të shumta informuese dhe komunikuese, përfshirë punëtori publike mbi përmbajtjen e rregullores, afatet e zbatimit dhe pritjet mbikëqyrëse, si dhe takime individuale me palët e interesuara, me qëllim të përgatitjes sa më të mirë të operatorëve për procesin e licencimit.
BQK thekson se data 1 mars 2026 përbën afatin e fundit për dorëzimin e aplikacioneve për licencë dhe përmbushjen e kërkesave rregullative. Pas këtij afati, çdo veprimtari e ofrimit të shërbimeve të kripto-aseteve pa licencë të BQK-së ose në mospërputhje me rregulloren në fuqi do të konsiderohet shkelje dhe do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi.
Në fund, BQK ka inkurajuar të gjitha palët e interesuara që t’i përmbushin obligimet brenda afateve të përcaktuara, në mënyrë që të sigurohet zbatim i plotë dhe efektiv i kornizës rregullative dhe funksionim i qëndrueshëm e transparent i sektorit të kripto-aseteve në Republikën e Kosovës.