Xhavit Haliti

“Pastrimi” nis zbatimin e çmimores së re për mbeturinat

Kompania Rajonale e Mbeturinave KRM “Pastrimi” Sh.A. ka njoftuar qytetarët dhe bizneset e Prishtinës se ka filluar zbatimin e çmimores së re për shërbimin e grumbullimit dhe transportit të mbeturinave komunale.

Sipas njoftimit, çmimorja e re është miratuar në përputhje me Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave, të aprovuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës në dhjetor të vitit 2023 dhe të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës (Akt Nr. 90391).

Bazuar në dokumentin zyrtar, tarifa për amvisëritë rezidente është përcaktuar në 5.56 euro në muaj pa TVSH, respektivisht 6.20 euro në muaj me TVSH 8%, ndërsa për amvisëritë jorezidente tarifa vjetore arrin në 17.8 euro me TVSH.

Çmimorja e re parasheh tarifa të diferencuara edhe për bizneset, varësisht nga madhësia, zona dhe kostoja e shërbimit.

Për dyqanet e vogla dhe bizneset artizanale, tarifa mujore në zonat urbane është 8.4 euro me TVSH, ndërsa në zonat rurale 6 euro me TVSH.

Ndërkaq, për bizneset e mesme dhe të mëdha, tarifat mujore në zonat urbane sillen nga 15 deri në 30 euro me TVSH, në varësi të kostos së shërbimit, ndërsa në zonat rurale nga 8.4 deri në 18 euro me TVSH.

KRM “Pastrimi” ka bërë të ditur se çmimorja e re synon mbulimin e kostove reale të shërbimit dhe përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave në territorin e Komunës së Prishtinës.