Xhavit Haliti

Ancelotti i gatshëm ta vazhdojë kontratën me Brazilin

Carlo Ancelotti është i gatshëm që ta vazhdojë kontratën me Federatën e Futbollit të Brazilit.

Kontrata e Ancelottit me Brazilin përfundon pas Kupës së Botës që mbahet këtë vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.

Presidenti i Federatës braziliane, Samir Xaud, në një intervistë për “Lance” ka zbuluar se të dyja palët janë të interesuara për vazhdimin e kontratës. Ancelotti vlerësohet për punën që e bën si selektor i Brazilit.

“Bisedimet kanë filluar tashmë dhe të dyja palët janë të interesuara. Një vazhdim  i kontratës para fillimit të Kupës së Botës është shumë i rëndësishëm për futbollin brazilian. Ai ka vërtetuar cilësinë dhe kompetencën në një kohë të shkurtër, si trajner dhe si person. Ne duam ta vazhdojmë këtë punë dhe t’i japim më shumë kohë për t’iu përkushtuar futbollit brazilian”, u shpreh Xaud.

Italiani Ancelotti e mori drejtimin e Brazilit vitin e kaluar.

Trajneri ikonik ka shumë suksese në karrierë sidomos me skuadrën e Real Madridit.