Xhavit Haliti

GAP: Mbi 130 mijë punëtorë përfitojnë nga rritja e pagës minimale këtë vit

Rreth 36% e punëtorëve me orar të plotë në Kosovë pritet të përfitojnë drejtpërdrejt nga rritja graduale e pagës minimale gjatë vitit 2026, vlerësohet në raportin e publikuar së fundmi nga Instituti GAP me titullin “Kush ndikohet nga rritja e pagës minimale në vitin 2026?”, e cila trajton ndikimin ekonomik të vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen graduale të pagës minimale gjatë vitit 2026.

Sipas analizës, mbi 130 mijë punëtorë me orar të plotë do të përfitojnë nga kjo masë, ndërsa ndikimi do të shtrihet edhe te punëtorët me orar të pjesshëm. 

“Analiza vlerëson se kostoja shtesë për bizneset nga kjo rritje e pagës minimale në dy faza në vitin 2026 do të jetë mbi 85 milionë euro, që përfaqëson rreth 2% të faturës totale të pagave në ekonomi. Nga kjo rritje pritet të përfitojnë drejtpërdrejt mbi 130 mijë punëtorë me orar të plotë, që përbëjnë rreth 36% të të gjithë të punësuarve me orar të plotë në Kosovë. Përveç tyre, të prekur nga kjo masë do të jenë edhe punëtorët me orar të pjesshëm”, thuhet në raport.

Sektorët më të ndikuar nga kjo rritje, sipas GAP-it, përfshijnë industrinë e ushqimit dhe pijeve, tregtinë me pakicë, etj., ku përqendrimi i punëtorëve me paga më të ulëta është më i lartë.

“Mosha mesatare e punëtorëve që përfitojnë nga rritja e pagës minimale është 37 vjeç, që tregon se përfituesit kryesorë janë punëtorët e moshës së mesme, të cilët, pavarësisht përvojës në tregun e punës, ende marrin paga në nivelin minimal. Nga aspekti gjinor, burrat përbëjnë shumicën e përfituesve, me 59% në fazën e parë dhe 56% në fazën e dytë të rritjes, ndërsa gratë përfaqësojnë përkatësisht 41% dhe 44% të përfituesve”, thuhet më tej në raport.