Xhavit Haliti

Protestë kundër shtrenjtimit të rrymës, thirrje për tubim para KEDS-it

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se do të organizojë një protestë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, duke shprehur kundërshtimin ndaj shtrenjtimit të paralajmëruar të rrymës.

Sipas njoftimit, protesta do të mbahet të premten, më 6 shkurt, duke filluar nga ora 13:00, ndërsa qytetarët janë ftuar të mblidhen para ndërtesës së KEDS-it.

Në njoftimin e publikuar në rrjetin social Facebook, organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë, duke theksuar se qëllimi i protestës është kundërshtimi i rritjes së çmimit të energjisë elektrike, e cila, sipas tyre, rëndon më së shumti mbi qytetarët dhe familjet me të ardhura të ulëta.

Ky reagim vjen pas kërkesës së bërë në fund të muajit janar nga kompania për furnizim me energji elektrike KESCO, e cila ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) kërkesën për rritje prej 21.3 për qind të çmimit të energjisë për vitin 2026.

Vendimi përfundimtar lidhur me këtë kërkesë pritet të merret nga ZRRE në muajt në vijim, ndërsa çështja ka nxitur reagime dhe shqetësime të shumta në opinionin publik.