Organizata “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”, në bashkëpunim me “Përpjekja”, kanë paralajmëruar protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. Tubimi do të mbahet sot nga ora 13:00, me grumbullim pranë objektit të KEDS-it dhe marshim drejt Qeverisë së Kosovës.
Organizatorët thonë se rritjet e njëpasnjëshme të tarifave të energjisë po rëndojnë drejtpërdrejt qytetarët, ndërsa kërkesat e KEDS-it për shtrenjtim po miratohen nga Zyra e Rregullatorit për Energji. Sipas tyre, konsumatorët po paguajnë humbjet dhe keqmenaxhimin e kompanisë, duke u përballur njëkohësisht me mungesë të furnizimit dhe kosto gjithnjë e më të larta jetese.
Në reagimin e tyre, organizatat kërkojnë refuzimin e rritjes së re të çmimit të rrymës dhe nisjen e procesit për rikthimin e KEDS-it në pronësi publike. Ato u bëjnë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës për të kundërshtuar, siç thonë, barrën financiare dhe politikat që po varfërojnë konsumatorët.