Guvernatori i Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, së bashku me Ministrin e Financave, Hekuran Murati, dhe Shefin e Misionit të Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Kosovën, David Amaglobeli, dolën para mediave për të prezantuar konkluzionet e Misionit të rishikimit sipas Nenit IV, i cili u zhvillua në Kosovë nga 3 deri më 13 shkurt 2026.
Në fjalën e tij, Guvernatori Ismaili falënderoi FMN-në për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen profesionale, duke theksuar se diskutimet e misionit janë fokusuar në zhvillimet makroekonomike dhe financiare, perspektivën ekonomike të vendit, si dhe prioritetet e politikave në sektorin financiar.
Sipas Ismailit, ekonomia e Kosovës vazhdon të dëshmojë qëndrueshmëri dhe ecuri pozitive, duke ndjekur një trajektore të qëndrueshme rritjeje, pavarësisht rreziqeve dhe pasigurive të jashtme që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme. Ai vlerësoi se sektori financiar, në veçanti ai bankar, mbetet i fortë, i kapitalizuar mirë dhe me likuiditet të lartë.
Guvernatori bëri të ditur se kreditimi bankar ka shënuar rritje vjetore prej 14.7%, ndërsa depozitat janë rritur për 13.0%. Ndërkohë, niveli i kredive joperformuese mbetet i ulët, vetëm 2.1%, i mbështetur nga provizionim i lartë. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ka arritur në 17.2%, mbi kërkesën rregullative prej 14.0%, ndërsa treguesit e likuiditetit (LCR dhe NSFR) vazhdojnë të jenë dukshëm mbi kufijtë e përcaktuar rregullativë.
Duke folur për reformat, Ismaili theksoi se BQK ka bërë progres të ndjeshëm në zbatimin e rekomandimeve të mëparshme të Nenit IV. Në fushën e mbikëqyrjes bankare është finalizuar drafti i parë i Manualit të SREP-it dhe janë zhvilluar instrumente të avancuara për vlerësimin e rreziqeve dhe automatizimin e proceseve mbikëqyrëse.
Ai vuri në pah se miratimi dhe publikimi i Ligjit të ri për Bankat përbën një reformë madhore, e cila forcon stabilitetin e sektorit bankar dhe paraqet një hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian. Ky ligj është zhvilluar me mbështetjen e FMN-së në kuadër të konsultimeve të Nenit IV, Marrëveshjes Stand-By (SBA) dhe Instrumentit për Reziliencë dhe Qëndrueshmëri (RSF), të përmbyllura me sukses vitin e kaluar.
Në aspektin e stabilitetit financiar dhe menaxhimit të krizave, po finalizohet korniza e rishikuar për Mbështetjen e Likuiditetit Emergjent, ndërsa Ligji i ri për Sigurimin e Depozitave pritet të avancojë me mbështetjen e Bankës Botërore. Po ashtu, po forcohet korniza makroprudenciale dhe kapacitetet analitike përmes zhvillimit të modeleve të reja makroekonomike dhe projekteve shumëvjeçare të asistencës teknike me FMN-në.
Në fushën e qeverisjes dhe transparencës, shumica e rekomandimeve të Vlerësimit të Masave Mbrojtëse janë zbatuar, ndërsa raporti sipas Kodit të Transparencës së Bankave Qendrore të FMN-së ndodhet në fazë përfundimtare, me vlerësime të larta për BQK-në.
Sa i përket sistemit të pagesave, BQK ka harmonizuar kornizën rregullative me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe ka dorëzuar para-aplikimin në DG FISMA. Ligji për Shërbimet e Pagesave dhe Ligji për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit pritet të riiniciohen për miratim në Kuvend, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Paralelisht, po zhvillohet sistemi i pagesave të menjëhershme (TIPS Clone), si pjesë e modernizimit të infrastrukturës së pagesave.
Guvernatori Ismaili njoftoi gjithashtu për progresin në rregullimin e kripto-aseteve, duke përfshirë miratimin e Rregullores për Licencimin e Ofruesve të Shërbimeve të Kripto-Aseteve dhe caktimin e 1 marsit 2026 si afat për aplikim dhe përshtatje me rregullativen në fuqi për ofruesit ekzistues dhe potencialë.
Në përmbyllje, Guvernatori i BQK-së theksoi se progresi i arritur në stabilitetin financiar, mbikëqyrje, sistem pagesash, qeverisje dhe harmonizim me standardet e BE-së dëshmon përkushtimin e institucionit për ndërtimin e një sistemi financiar të qëndrueshëm, transparent dhe modern, në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe prosperitetit të vendit.