Kroacia bllokoi kafen e “Devolli Group”: Në Shqipëri AKU 5 vite pa analizuar “Prince Caffe” për akrilamid

Në dhjetor 2025 Kroacia ka bllokuar rreth 12 mijë kg “Caffe Monaco”, prodhuar nga Devolli Group, pasi analizat laboratorike zbuluan nivel akrilamidi mbi kufirin e lejuar.

Në kafe, akrilamidi krijohet gjatë procesit të pjekjes së kokrrës  në temperatura të larta. Autoritetet evropiane të sigurisë ushqimore e klasifikojnë akrilamidin si substancë me potencial të mundshëm kancerogjen.

Kjo ishte edhe arsyeja pse autoritetet kroate nuk lejuan që produkti të hynte në treg, duke e trajtuar si produkt me rrezik për konsumatorët.

Nga burime zyrtare na bëhet me dije se ky produkt nuk ka hyrë në Shqipëri, por duke u nisur nga fakti që “Devolli Group”, prej vitesh ka futur në tregun shqiptar “Prince Caffe”, televizioni “Ora News” kërkoi informacion nga Agjencia Kombëtare e Ushqimit (AKU) se sa analiza laboratorike ka kryer ky institucion për praninë e akrilamideve në produktin “Prince Caffe” të tregtuar në Shqipëri.

AKU na bën me dije se nga viti 2020 deri në 2025 nuk është  kryer asnjë analizë laboratorike për praninë e akrilamidit në produktin “Prince Caffe” të tregtuar në Shqipëri.

Ky institucion pranon se për një periudhë pesëvjeçare nuk e ka kryer këtë analizë, të njëjtën që kryen autoritetet kroate dhe që nxorën produktin në alarm.

Ndërsa Kroacia ndaloi produktin pas analizave dhe aplikoi menjëherë masat mbrojtëse për konsumatorët, në Shqipëri i njëjti kontroll rezulton të mos jetë kryer për gjysmë dekade.

Në një kohë kur standardet evropiane kërkojnë vigjilencë dhe kontrolle të rrepta, siguria ushqimore nuk mund të mbështetet te “fati”, por vetëm te përgjegjësia dhe veprimi konkret i institucioneve. /Oranews.tv/