KOSTT: Rikthehet rryma pas ndërhyrjeve në rrugën që u shemb

Furnizimi me energji elektrike është rikthyer në zonat e prekura në Prishtinë, pas ndërhyrjeve të realizuara nga KOSTT në rrugën “Don Shtjefën Kurti”.

Sipas njoftimit zyrtar, rikthimi i energjisë është bërë përmes një zgjidhjeje të përkohshme, pas një angazhimi intensiv dhe pune të pandërprerë të ekipeve në terren. Ndërkohë, punimet po vazhdojnë për të garantuar siguri të plotë të furnizimit për nënstacionin Prishtina 6.

Problemet në furnizim erdhën si pasojë e dëmeve të konsiderueshme të shkaktuara nga shembja e dheut, e ndodhur një ditë më parë në orët e pasdites në këtë zonë. Për shkak të rrezikut, ndërhyrjet fillestare janë zhvilluar në mënyrë të kufizuar dhe të kontrolluar, në përputhje me standardet e sigurisë.

KOSTT ka bërë të ditur se ekipet e saj po vazhdojnë punën në terren për stabilizimin e plotë të rrjetit energjetik.

Në fund, ky institucion ka shprehur mirënjohje për përkushtimin e punëtorëve dhe ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë ndërprerjes së energjisë elektrike.