“Super Kuvendi”: Për një ditë miratohen 10 projektligje

Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar sot një nga seancat më intensive të këtij sesioni, duke miratuar në lexim të dytë 10 projektligje që prekin sektorë kyç si ekonomia, shëndetësia, arsimi dhe çështjet sociale.

Seanca plenare u shoqërua me debate të shumta mes pozitës dhe opozitës, megjithatë shumica parlamentare arriti të sigurojë votat e nevojshme për kalimin e ligjeve.

Ndër projektligjet kryesore të miratuara është ai për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, i njohur si ligji për “çmimet tavan”, i cili u votua me 63 vota për, pa kundërshtime dhe abstenime. Opozita shprehu shqetësime për mundësi arbitrariteti në zbatim, ndërsa përfaqësuesit e qeverisë theksuan se ligji do të aplikohet vetëm në situata të jashtëzakonshme dhe për produkte bazë.

Me mbështetje të gjerë është miratuar edhe Projektligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili mori 80 vota për dhe asnjë kundër. Institucionet e cilësuan këtë si një hap të rëndësishëm drejt sigurimeve shëndetësore për qytetarët, ndërsa opozita kërkoi kujdes në zbatim dhe diskutim më të gjerë për funksionalizimin praktik.

Po ashtu, deputetët miratuan Projektligjin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” me 64 vota për, si dhe Projektligjin për Shtetësinë e Kosovës me 69 vota për, dy kundër dhe asnjë abstenim, për të cilin pati kundërshtime nga opozita lidhur me përmbajtjen dhe procedurat.

Në mesin e ligjeve të tjera të miratuara janë edhe ato për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore (68 vota për), për Banim Social dhe të Përballueshëm (71 vota për), për Provimin e Maturës Shtetërore (66 vota për), si dhe Projektligji për Lëndët Plasëse (72 vota për).

Gjithashtu, Kuvendi miratoi edhe ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, si dhe Projektligjin për Shërbimet e Pagesave.

Seanca u karakterizua nga diskutime të gjata dhe përplasje qëndrimesh, por në fund shumica parlamentare arriti të kalojë të gjitha projektligjet e parapara, pavarësisht kritikave dhe rezervave të opozitës.