Petrit Kllokoqi ‘pushton’ Everestin, valëvit flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë në majën e botës

Afaristi dhe anëtari i “TEAM KTRA”, Petrit Kllokoqi, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke u ngjitur në majën më të lartë të botës, Mount Everest, ku ka valëvitur me krenari flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kllokoqi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë emocionet nga momenti historik në majën e Everestit, duke shkruar: “Lot gëzimi për vendin tem”.

Ky triumf vjen pas një rruge të gjatë dhe sfiduese, për të cilën ai kishte folur edhe më herët gjatë ekspeditës. Kllokoqi kishte treguar se përgatitjet intensive dhe kushtet ekstreme gjatë ngjitjes kishin ndikuar edhe fizikisht tek ai, duke humbur peshë gjatë rrugëtimit. Sipas tij, faza finale e njohur si “summit push” kishte qenë pjesa më e vështirë dhe më sfiduese drejt arritjes në majën e botës.

Ngjitja në Mount Everest konsiderohet një ndër arritjet më të mëdha në alpinizmin botëror dhe kërkon përgatitje të jashtëzakonshme fizike, psikike dhe teknike. Suksesi i Kllokoqit përbën një moment krenarie jo vetëm për të, por edhe për Kosovën dhe gjithë rajonin, shkruan Gazeta Stop.

Pas suksesit të tij, urime dhe përgëzime të shumta kanë ardhur edhe nga kolegët dhe miqtë e klubit “TEAM KTRA”, të cilët e kanë cilësuar këtë arritje si frymëzim për shumë të rinj.

“Petriti po shkruan historinë e tij, hap pas hapi, mbi malin më të lartë të planetit, e gjithë familja e Team KTRA e përcjell me zemër dhe krenari në këtë sfidë të jashtëzakonshme. Në çdo hap të Petrit Kllokoqit shohim përkushtimin, sakrificën dhe besimin se kufijtë ekzistojnë vetëm në mendjen tonë”, thuhet në reagimin e klubit.

Arritja e Petrit Kllokoqit në Everest mbetet një dëshmi e vullnetit, guximit dhe përkushtimit për të realizuar ëndrrat më të mëdha, pavarësisht sfidave të shumta që sjell rruga drejt majës.