Normat e interesit për kreditë në bankat komerciale në Kosovë vazhdojnë të mbeten ndër më të lartat në rajon, duke rritur koston e huamarrjes për qytetarët dhe bizneset dhe duke ngjallur shqetësime për ndikimin e tyre në zhvillimin ekonomik.
Sipas analizës së publikuar nga Buletini Ekonomik, pavarësisht rritjes së konkurrencës në sektorin bankar dhe fitimeve të larta të bankave, normat e interesit për kredi mbeten në nivele të larta, duke e bërë financimin më të kushtueshëm për ekonomitë familjare dhe sektorin privat.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) tregojnë se norma mesatare e interesit për kreditë e reja në fillim të vitit 2026 ishte rreth 6.9 për qind, ndërsa norma mesatare për depozitat e reja ishte 3.46 për qind, çka krijon një diferencë të konsiderueshme mes kamatave të kredive dhe kursimeve.
Njohës të ekonomisë vlerësojnë se normat e larta të interesit ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e investimeve, rritjen e kostos së financimit për bizneset dhe kufizimin e fuqisë blerëse të qytetarëve. Ata theksojnë se rritja e konkurrencës në tregun bankar dhe krijimi i kushteve për financim më të lirë do të ndikonin në zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e investimeve.
Sektori bankar në Kosovë ndërkohë vazhdon të mbetet fitimprurës, me rritje të vazhdueshme të kredive dhe depozitave, ndërsa debati për nivelin e normave të interesit dhe ndikimin e tyre në ekonomi mbetet aktual.