Një grua ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi ishte plagosur rëndë me armë zjarri në fshatin Kërvasari të Komunës së Malishevës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, viktima dyshohet se është bashkëshortja e personit të dyshuar për rastin. Ajo ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.
Edhe personi i dyshuar, i gjinisë mashkullore, ka pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit. Ai është dërguar për trajtim në QKUK dhe, sipas njoftimit të këtij institucioni, ndodhet në gjendje të rëndë dhe kritike për jetën.
Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa me urdhër të tij trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, ku do të kryhet autopsia.
Lidhur me rastin është iniciuar procedurë për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria, në koordinim me Policinë e Kosovës, po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore për të ndriçuar plotësisht rrethanat e rastit dhe për të siguruar provat relevante.