Sejdiu: Jam vënë në shërbim të Republikës

Bekim Sejdiu është propozuar si kandidat konsensual për president të Republikës së Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pas negociatave të zhvilluara gjatë ditëve të fundit mes dy partive.

Sejdiu ka thënë se pajtueshmëria për emrin e tij e nderon, ndërsa ka falënderuar përfaqësuesit e LVV-së dhe LDK-së për besimin e dhënë.

Ai tha se dy subjektet politike kanë zhvilluar negociata intensive për gjetjen e një kandidati jopartiak për postin e presidentit dhe se gjatë këtyre bisedimeve është arritur pajtueshmëria për kandidaturën e tij.

“Pajtueshmëria për emrin tim si kandidat presidencial më bën të ndihem i nderuar. Besimi që më kanë dhënë përfaqësuesit e dy partive politike është besim i madh dhe nder i madh”, ka deklaruar Sejdiu.

Ai tha se e ka pranuar propozimin, ndonëse ambicia e tij, siç u shpreh, ka qenë kryesisht në fushën akademike dhe profesionale.

Sejdiu theksoi se është i vetëdijshëm për përgjegjësinë që bart posti i presidentit, veçanërisht në kontekstin aktual politik të Kosovës.

“Jam vënë në shërbim të Republikës së Kosovës, të qytetarëve dhe të shtetit tonë, që t’u shërbej me devotshmëri, siç kam bërë gjithmonë, kudo dhe kurdo që më jepet rasti brenda kapaciteteve të mia”, tha ai.

Sejdiu shtoi se zgjedhja e presidentit përfshin si aspektin politik, ashtu edhe procedurat kushtetuese që zhvillohen në Kuvendin e Kosovës.