BQK përfshihet në mekanizmin EUREP të Eurosistemit për likuiditet në euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka marrë konfirmimin për përfshirjen në mekanizmin e avancuar të Eurosistemit për transaksionet REPO me bankat qendrore, të njohur si EUREP, i themeluar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).

BQK ka bërë të ditur se kjo përfshirje i mundëson qasje në një mekanizëm të përhershëm për sigurimin e likuiditetit në euro, duke zgjeruar instrumentet që institucioni ka në dispozicion në rast të nevojave të jashtëzakonshme për likuiditet apo goditjeve financiare.

Aktualisht, BQK ka qasje në një linjë REPO deri në 100 milionë euro, e vlefshme deri më 31 janar 2027. Përfshirja në EUREP paraqet kalimin nga kjo marrëveshje e kufizuar në shumë dhe kohë drejt një kornize të përhershme të Eurosistemit për bankat qendrore jashtë zonës së euros.

Në kuadër të EUREP-it, bankat qendrore të pranueshme mund të sigurojnë likuiditet në euro kundrejt kolateralit të pranueshëm të denominuar në euro. Kapaciteti maksimal i një linje individuale mund të arrijë deri në 50 miliardë euro, në varësi të kërkesave dhe aranzhimeve operacionale të Eurosistemit.

Për Kosovën, e cila përdor euron si valutë, ky mekanizëm krijon një mundësi shtesë për sigurimin e likuiditetit në situata të jashtëzakonshme.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, e ka cilësuar përfshirjen në EUREP si një hap të rëndësishëm për forcimin e rrjetit të sigurisë financiare të Kosovës.

“Ky është një avancim i rëndësishëm për rrjetin e sigurisë financiare të Republikës së Kosovës. Qasja në kornizën e avancuar EUREP forcon ndjeshëm instrumentet që BQK ka në dispozicion për ruajtjen e likuiditetit dhe stabilitetit financiar”, tha Ismaili.

Sipas BQK-së, EUREP është mekanizëm i përhershëm i Eurosistemit, i krijuar për t’u ofruar bankave qendrore të pranueshme jashtë zonës së euros qasje në likuiditet të përkohshëm në euro kur është e nevojshme. Mekanizmi koordinohet nga BQE-ja dhe operacionalizohet përmes pesë bankave qendrore kombëtare të Eurosistemit, përfshirë Deutsche Bundesbank.

BQK, në bashkëpunim me Deutsche Bundesbank, do të vazhdojë përgatitjet teknike dhe operacionale për funksionalizimin e plotë të mekanizmit. Shuma e disponueshme për Kosovën do të përcaktohet sipas nevojave të vlerësuara, kërkesave përkatëse dhe kolateralit të pranueshëm, brenda kufirit të përcaktuar nga BQE.