Një person 29-vjeçar ka mbetur i vrarë nga të shtënat me armë zjarri të dielën mbrëma në fshatin Pogragjë të Gjilanit, ndërsa i dyshuari ndodhet në arrati.
Rasti është raportuar rreth orës 19:30, ndërsa vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes e ka konstatuar ekipi mjekësor.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, ka konfirmuar se i dyshuari, i cili është i njohur për Policinë, është larguar nga vendi i ngjarjes dhe po kërkohet nga autoritetet.
“Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë përkatëse hetimore, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe operative për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, ka njoftuar Osmani.
Vrasja në Pogragjë vjen vetëm pak ditë pas një rasti tjetër të rëndë në rajonin e Gjilanit. Të enjten, një burrë dyshohet se vrau bashkëshorten dhe vëllanë e saj.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të vrasjes së fundit dhe për kapjen e të dyshuarit.