Hapet aplikimi për subvencionimin e faturave të rrymës

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka hapur afatin e aplikimit për Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike për periudhën 2026–2027.

Përmes këtij programi, familjet që i plotësojnë kriteret e përcaktuara do të mund të përfitojnë subvencionim të faturave të energjisë elektrike.

Sipas njoftimit të ministrisë, aplikimi është i hapur nga 19 tetori 2026 deri më 31 mars 2027. Kërkesa duhet të parashtrohet nga një anëtar i familjes dhe mund të lidhet vetëm me një njehsor elektrik, shkruan Gazeta Stop.

Aplikimi bëhet online përmes platformës eKosova, në kategorinë e shërbimeve “Familja”, në këtë adresë: https://ekosova.rks-gov.net/Service/1.

Familjet që nuk kanë mundësi të aplikojnë në mënyrë elektronike mund të kërkojnë ndihmë në Qendrat për Punë Sociale.

Ministria sqaron se subvencionimi fillon nga muaji kur aplikimi aprovohet dhe nuk përfshin muajt paraprakë. Për këtë arsye, familjeve të interesuara u rekomandohet të aplikojnë sa më herët, në mënyrë që të mund të përfitojnë nga programi për një periudhë sa më të gjatë.

Të dhënat e paraqitura në aplikim do të verifikohen nga institucionet përkatëse. Deklarimi i pasaktë ose i paplotë mund të çojë në refuzimin e kërkesës ose në detyrimin për kthimin e mbështetjes së përfituar.

Kriteret e plota për përfitim dhe detajet e programit janë publikuar në faqen zyrtare të ministrisë: https://mpfvlc.rks-gov.net/.

Për informata shtesë, qytetarët mund të shkruajnë në adresën elektronike subvencion.energjia@rks-gov.net ose të kontaktojnë Tavolinën Ndihmëse në numrin 038 200 27 277.