E humbi në tavolinë ndeshjen për Champions, por s’merr fund rrugëtimi i Dritës në Evropë


Dritës nuk i ka marrë fund rrugëtimi në Evropë këtë verë, përkundër që të mërkurën mori lajmin e keq nga UEFA se e ka humbur ndeshjen kundër Linfield me rezultat 3:0 në tavolinë.

Kampionia e Kosovës, Drita, e nisi rrugëtimin në kualifikimet për Ligën e Kampionëve me fitore, pasi që arriti ta mposhtë me rezultat 2:1 klubin nga Andorra, Inter Club d’Escaldes, falë golave të shënuara nga Xhevdet Shabani dhe Hamdi Namani, transmeton Gazeta Express.

Gjilanasit synon ta vazhdonin rrugëtimin me po këtë hap të martën në orën 18:00, kundër klubit irlandez Linfield, në finalen e rundit preliminar në kualifikimet për Champions, por një gjë e tillë iu pamundësua.

Autoritetet zvicerane e anuluan ndeshjen e së martës shkaku i infektimeve me Covid-19 në skuadrën e Dritës, ndërsa të mërkurën UEFA mori vendim që skuadrës së Ardian Nuhiut t’ia shuajë ëndrrat për kualifikimin në Ligën e Kampionëve, duke ia regjistruar ndeshjen si humbje me rezultat 3:0 në tavolinë.

E përkundër që Drita kishte shpresuar të shkruante historinë këtë edicion me kualifikimet për në Ligën e Kampionëve, djemtë e Nuhiut do ta kenë edhe një mundësi tjetër në Evropë, duke zënë një vend në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës.

Rundi i dytë kualifikues për Ligën e Evropës i sjell në konkurrencë gjithsej 94 skuadra, tri prej të cilave janë humbësit e rundit preliminar për kualifikim në Ligën e Kampionëve (ku bën pjesë edhe Drita), 17 humbësit e rundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, 47 fituesit e rundit të parë kualifikues për Ligën e Evropës dhe 27 skuadra të tjera evropiane që hynë direkt në këtë fazë.

Në Ligën e Evropës, Drita mund të jetë në garë bashkë me dy klubet e tjera kosovare që po garojnë në Evropë, Prishtinën dhe Gjilanin.