Sunny Hill Festival

Spanja në gjysmëfinale, eliminon Zvicrën në penallti

Spanja ka kaluar në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian “Euro 2020” pasi ka eliminuar Zvicrën pas gjuajtjes së penalltive. Në penallti, Spanja fitoi 3:1 pasi ndeshja e rregullt dhe vazhdimet shtesë përfunduan me rezultat 1:1.

Spanja kaloi në epërsi qysh në minutën e 8-të falë autogolit të Denis Zakaria, ndërkohë për barazimin e rezultatit shënoi Xherdan Shaqiri në minutën e 68-të.

Zvicra luajti nga minuta e 77-të me një futbollist më pak në fushë kur Remo Freuler u ndëshkua direkt me të kuq.

Në vazhdim, spanjollët dominuan ndeshjen por nuk arritën të shënonin dhe ndeshja u vendos në 11-metërsha.

Skuadra e Luis Enrique u tregua më e saktë nga gjuajtja e penalltive, ku realizuan tre gola nga pesë penallti të goditura, ndërkaq helvetët realizuan një nga katër penallti të ekzekutuara.

Në gjysmëfinale, Spanjë pret fituesin e ndeshjes Belgjikë – Itali.