A do ta diskutoj punën e presidentit me PDK-në? Flet Isa Mustafa


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një përgjigje për Gazetën Express ka treguar nëse do të diskutohet çështja e Presidentit, me Partinë Demokratike të Kosovës, për të cilën para disa ditësh i hoqi vijat e kuqe

I pyetur se a do të diskutohet tema e Presidentit me PDK’në e Kadri Veselit, për të cilën ditë më parë Mustafa hoqi vijat e kuqe, kreu i LDK’së ka deklaruar se rrethanat kushtetuese do ta përcaktojnë diskutimin rreth kësaj çështjeje. 

“Çështja e Presidentit do të diskutohet në kohën kur të krijohen rrethanat kushtetuese”, ka deklaruar i pari i LDK’së. 

Ndërkohë, para pak ditësh Mustafa foli për heqjen e vijave të kuqe me partinë e Kadri Veselit. Deklaratat e tij u kritikuan sidomos nga ish-partneri i koalicionit, Vetëvendosje.

Në një prononcim për Express, Mustafa pati thënë se në kohën kur Kosova po ballafaqohet me akuzat e Gjykatës Speciale, bisedimet në Uashington e pandeminë COVID-19, është e pakuptimtë të mos kërkohet bashkëpunim  në skenën politike.

Lideri i LDK’së ka thënë se është i nevojshëm bashkëpunimin ndërmjet partive politike.

Arsye për heqjen e vijave të kuqe për PDK’në, Mustafa i ka listuar sfidat e tanishme të Kosovës, si dilogu me Serbinë, pandemia COVID-19 e aktakuzat e Speciales kundër ish-ushtarëve të UCK’së.

Mustafa ka deklaruar se në rrethana të tilla është e pakuptimtë të mos kërkohet bashkëpunim.

“Në rrethanat kur po ballafaqohemi me pandeminë dhe nevojën që bashkërisht ta fitojmë këtë betejë; Kur po zhvillohet dialogu në Uashington dhe në Bruksel për përmbyllje të marrëveshjes me njohje reciproke; Kur ka filluar procedimi i aktakuzave nga Gjykata Speciale kundër pjesëtarëve të UÇK-së për dyshime për krime të luftës, është e pakuptimtë që në të mos  kërkojmë gjuhë të përbashkët dhe bashkëpunim”, ka deklaruar i pari i LDK’së për Express. 

Ai thotë se për zgjidhjen e këtyre problemeve duhet bashkëpunim ndërmjet partive politike dhe liderëve të tyre.

“Asnjërin prej këtyre problemeve akute nuk e zgjidhim duke mbajtur diskomunikim dhe duke mos bashkëpunuar si subjekte politike dhe si liderë të këtyre subjekteve”, deklaron Mustafa.

Kreu i LDK’së thotë se problemet e vendit nuk zgjidhen me politika populliste, me të cilat nuk ofrohet zgjidhje.

“Mua, por jam i bindur, se edhe LDK-në na rëndon problemi i Kosovës, i cili as sot dhe as në të ardhmen nuk tejkalohet me politika populliste e qasje kritizere, pa ofruar asnjë zgjidhje. Në kohë të vështira për vendin duhet të gjejmë zgjidhje që na bashkon dhe na forcon”, ka thënë Mustafa.

Deklaratën e Mustafës  për heqjen e vijave të kuqe për PDK’në, kreu i VV;së, Albin Kurti, sot e ka quajtur qesharake.

Sipas tij, këto dy parti ka kohë që funksionojnë në sinkron.

Madje, ai ka thënë se edhe po të bëhen bashkë, VV do t’i mundë në zgjedhjet e ardhshme.

Albulena Haxhiu nga VV ka thënë se heqja e vijave të kuqe nga LDK’ja për PDK’në është ditur që në muajin mars.

Ajo deklaroi se kjo po bëhet për të ikur nga zgjedhjet.