Një analizë e re ka zbuluar se studimet e financuara nga industria e mishit të kuq janë shumë më të prira të tregojnë se ky mish nuk është i dëmshëm për zemrën, ose madje është i mirë për të, krahasuar me studimet e pavarura, ka shkruar “The New York Times”.
Kjo analizë u publikua javën e kaluar në “American Journal of Clinical Nutrition”. Ekspertët kanë thënë se rezultatet janë shqetësuese, por jo befasuese. Financimet nga industria e ushqimit janë problem i vjetër në kërkimet ushqimore, për shkak të mungesës së fondeve publike.
“Industria e sheqerit ka financuar në të kaluarën studime që minimizonin lidhjen e sheqerit me obezitetin dhe sëmundjet e zemrës. Edhe industria e alkoolit ka promovuar idenë se konsumimi i moderuar është pjesë e një diete të shëndetshme”, thuhet në artikull.
Çfarë tregoi analiza e re?
Studiuesit spanjollë të udhëhequr nga doktori Miguel López Moreno, nga Universiteti Francisco de Vitoria, analizuan 44 studime klinike të kryera nga viti 1980 deri më 2023, që shikonin se si konsumi i mishit të kuq (të papërpunuar) ndikon në rrezikun për sëmundje të zemrës, përmes indikatorëve si kolesteroli, tensioni i gjakut dhe trigliceridet.
Nga këto 44 studime:
29 ishin të financuara nga industria e mishit të kuq.
15 ishin të financuara nga agjenci shtetërore, universitete ose fondacione jofitimprurëse.
Rezultati? Studimet me financim nga industria kishin katër herë më shumë gjasa të raportonin rezultate pozitive ose neutrale për ndikimin e mishit të kuq në shëndetin e zemrës, krahasuar me studimet e pavarura, të cilat asnjëherë nuk raportuan përmirësim të shëndetit, vetëm përkeqësim ose mungesë ndikimi.
“Të dhënat tregojnë një prirje të qartë”, ka thënë Moreno.
Ndërsa doktori Walter Willett, epidemiolog dhe profesor i të ushqyerit në Harvard, ka shtuar se nuk ka prova të qarta se manipulohen të dhënat e studimeve.
“S’kemi prova të qarta që shkencëtarët e lidhur me industrinë i manipulojnë të dhënat, por trendi është i dyshimtë”, ka thënë Willet.
Pse kjo është problematike për publikun?
Kur qytetarët e zakonshëm përballen me studime që japin rezultate kontradiktore, bëhet e vështirë të kuptojnë çfarë të besojnë, ka thënë doktoresha Deirdre Tobias, profesoreshë e mjekësisë në Harvard.
Ajo ka theksuar se studimet e financuara nga industria shpesh nuk i krahasojnë efektet e mishit të kuq me burime më të shëndetshme si drithërat integrale, arrat apo produktet bimore, por i krahasojnë vetëm me ushqime të tjera shtazore si peshku apo pula, ose karbohidrate të përpunuara si makaronat e buka e bardhë.
Ndërkohë, studimet e pavarura krahasuan mishin e kuq me një gamë më të gjerë ushqimesh, përfshirë alternativa të shëndetshme si soja, fasule apo arra, duke ofruar pasqyrim më të qartë për efektet e mishit të kuq.
Çfarë ndodh me të ardhmen e hulumtimeve?
Ekspertët paralajmërojnë se kërkimi ushqimor në SHBA është shumë pak i financuar nga shteti. Kjo sipas tyre e bën të ndikueshëm financiarisht industrinë dhe pastaj nxitet konflikt interesi.
“Kur grupet e industrisë financojnë studimet, ato kanë për qëllim të rrisin shitjet, jo të mbrojnë shëndetin publik”, ka thënë doktori John Ioannidis, profesor në Universitetin Stanford.
Edhe Marion Nestle, profesoreshë në Universitetin e New Yorkut, ka shtuar se “Është mirë për marketingun, por jo për shkencën”.
Në vitin 2023, më pak se 5% e buxhetit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë (NIH) në SHBA ka shkuar për studime në ushqyerje, një shifër që Tobias e quajti “minimale”.
“Studimi për mishin e kuq është shembull i shkëlqyer pse NIH duhet të investojë më shumë në kërkime të pavarura. Përndryshe, do të varemi nga industria, pa asnjë garanci se po punon në interes të shëndetit publik”, ka thënë ajo.