Afati përfundon sot, Kuvendi i Kosovës tenton përsëri konstituimin

Pas disa tentimeve të dështuara, Kuvendi i Kosovës do të bëjë edhe një përpjekje për konstituim. Seanca është caktuar të mbahet sot në ora 10:00 në Sallën Plenare.

Në seancën e fundit, të mbajtur të premten, Kuvendi dështoi për herë të gjashtë që të zgjedhë kryetarin dhe të formojë strukturat e reja, duke e lënë procesin pezull.

Deputeti Glauk Konjufca konfirmoi kandidaturën e deputetes Albulena Haxhiu dhe bëri thirrje për mbështetje nga deputetët për zgjedhjen e saj në krye të Kuvendit.

Me 57 vota pro, 47 kundër dhe tre abstenime, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, konstatoi se kandidatja e propozuar nuk mori numrin e mjaftueshëm të votave.

Në këto kushte, kryesuesi Dehari vendosi të ndërpresë seancën.

Vlen të theksohet se sot përfundon edhe afati kushtetues prej 30 ditësh, që nis nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për formimin e institucioneve të reja.