Policia e Kosovës i ka urdhëruar të gjithë deputetët, mediat dhe të pranishmit e tjerë në ndërtesën e Kuvendit të largohen, në prag të vazhdimit të radhës të seancës konstituive, pas dyshimeve për një kërcënim.
Policia nuk ka folur ende në lidhje me evakuimin e të gjithëve nga ndërtesa dhe oborri i Kuvendit të Kosovës.
Por, sipas disa deputetëve, bëhet fjalë për çështje sigurie dhe ndonjë kërcënimi të mundshëm.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se bëhet fjalë për një “kërcënim të qartë”.
“Edhe policia po mendon ashtu”, tha Konjufca duke u larguar nga ndërtesa Kuvendit.
I pyetur se si ka ardhur ky kërcënim, Konjufca tha se “më sa e di vetëm përmes telefonatës”.
Ndërkohë, nga pamjet televizive u pa mbërritja e një numri të oficerëve të Njësisë Speciale të Kosovës në ndërtesën e Kuvendit.
“Na dhanë udhëzime të dalim [nga ndërtesa], sepse ka një kërcënim me gjasë. Nuk e dimë çka po ndodh dhe na kërkuan të dalim. Policia na tha për çështje të sigurisë”, tha Abelard Tahiri, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.
Vlora Çitaku, deputete e PDK-së, tha se sigurimi u kërkoi të largohen nga ndërtesa e Kuvendit, pa u dhënë sqarime.
“Siç duket ka pasur ndonjë kërcënim për ndonjë sulm apo diçka të ngjashme. Nuk kemi informatë të saktë, vetëm na thanë të largohemi”, tha Çitaku.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, tha se ajo dhe deputetët e tjerë të kësaj partie ishin duke u futur në sallë për të marrë pjesë në seancë, kur iu kërkua të largohen nga ndërtesa e Kuvendit.
“Nuk kemi informacion. Ne ishim në zyrën e grupit parlamentar të përgatitur për të shkuar në seancë, por na thanë të dalim jashtë se paska kërcënim”, tha ajo.
Deputetët u mblodhën sot për ta vazhduar seancën konstituive të Kuvendit, në përpjekjen e tyre të 42-të për ta bërë Kuvendin që nga 15 prilli.
Nuk është e qartë nëse deputetët do të kthehen për ta mbajtur vazhdimin e seancës.
Katër muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të jetë pa institucione të reja, ndërsa afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit po soset.
Gjykata Kushtetuese e nxori më 26 qershor një aktgjykim i cili i detyron deputetët që brenda 30 ditëve ta konstituojnë Kuvendin.
Seanca e thirrur për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të vazhduar me hapat e tjerë të konstituimit po dështon, për shkak të mungesës së pajtueshmërisë ndërmjet partive politike rreth formimit të një komisioni për votim të fshehtë për kandidaten për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Prej kohësh, partitë më të mëdha kanë kundërshtuar propozimin e Vetëvendosjes që Haxhiu, ministre në detyrë e Drejtësisë, të zgjidhet në krye të Kuvendit.
Ato e kanë cilësuar Haxhiun si “figurë përçarëse” dhe i kanë kërkuar Vetëvendosjes, si fituese e zgjedhjeve, të vijë me një emër tjetër.
Pavarësisht kësaj, Vetëvendosje nuk ka hequr dorë, duke thënë se propozimi i emrit të kryetarit është e drejtë ekskluzive e fituesit të zgjedhjeve dhe se Haxhiu është kandidate meritore.