Lista Serbe ka dorëzuar sërish ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykim i mëparshëm i kësaj Gjykate.
Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.
Emri i tij u hodh në votim pasi nëntë deputetët e Listës Serbe nuk arritën të siguronin votat e nevojshme për ta marrë këtë pozitë.
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një prononcim për Telegrafin ka folur për situatën e re të krijuar politike, duke thënë se vetëm këtë vit, Gjykata Kushtetuese ka miratuar së paku tri vendime që lidhen me procesin e konstituimit.
“Gjykata Kushtetuese vetëm gjatë këtij viti ka miratuar së paku tre vendime që lidhen me procesin e konsitituimit të Kuvendit të Kosovës. Andaj, së paku gjyqtarët e GJK e kanë të qartë në mendjen dhe interpretimin e tyre nëse Kuvendi i Kosovës është konstituuar në bazë të Kushtetutës dhe praktikës së Gjykatës Kushtetuese. Andaj, në rast se Gjykata është e bindur se nuk është respektuar Kushtetuta apo praktika gjyqësore e GJK më praktike do të ishte të vendosej masa e sigurisë për të parandaluar care do o dëmi institucional që mund të shkaktohej nga vendimi meritor i Gjykatës”, është shprehur ai.
Ai gjithashtu ka theksuar kërkesa e deputetëve të Listës Serbe do të duhej të trajtohej me prioritet të lartë.
Miftaraj po ashtu pohoi se nëse vendoset masa e sigurisë nga Gjykata Kushtetuese, atëherë ndalet edhe afati për formimin e qeverisë.
“Po ashtu, GJK këtë kërkesë do të duhej ta trajtonte me prioritet të lartë, pasi që çfarëdo vendimi që merr do të jetë i bazuar në tre vendimet e mëhershme që janë marrë gjatë këtij viti. Nëse caktohet masa e sigurisë, padyshim se ndalet afati për formimin e qeverisë deri në publikimin e aktgjykimit nga GjK”, potencoi Miftaraj.
Po ashtu, hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku, tha për Telegrafin se Gjykata Kushtetuese ka mundësi që të vendosë masë të përkohshme të Kuvendit.
“Në kuptimin procedural e ligjor, Gjykata Kushtetuese ka mundësi që të vendosë masë të përkohshme punës së Kuvendit me arsyetimin që të mos shkaktohet dëm i pariparueshëm dhe të ndalojë çdo veprim të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë. Kjo masë mund të vendosë qoftë bazuar në kërkesën e parashtruesit ose edhe vet sipas detyrës zyrtare nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, ka pohuar ai.
Ai shtoi tutje se, marrë parasysh që për trajtimin e këtyre kërkesave, Gjykata ka afat që deri në 60 ditë me ofru vendim atëherë edhe ekziston mundësia që deri sa të nxjerret vendimi mbi kërkesën e parashtruar nga grupi parlamentar Lista Serbe të pezullohet çdo veprim për të formuar Qeverinë e Kosovës.
Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) votuan në favor të Nenad Rashiqit, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës abstenoi në votim.
Rezultati i votimit ishte: 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime. /Telegrafi/