Arian Tahiri: Rezultati është vullnet i qytetarëve, do ta respektoj gjithmonë

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka reaguar pas përfundimit të garës zgjedhore, duke falënderuar qytetarët për përkrahjen dhe besimin që i dhanë gjatë fushatës.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Tahiri ka thënë se pjesëmarrja në këtë proces ka qenë një privilegj dhe një dëshmi e pjekurisë demokratike të qytetarëve të Mitrovicës.

“Ju falënderoj të gjithëve për besimin dhe përkrahjen që më dhatë në garën për Kryetar të Mitrovicës. Ishte një privilegj i madh të jem pjesë e një procesi demokratik që dëshmoi pjekurinë tonë politike dhe kulturën e lartë qytetare”, ka shkruar ai.

Tahiri ka theksuar se rezultati i zgjedhjeve është shprehje e vullnetit të qytetarëve dhe se ky vullnet do të ketë gjithmonë respektin e tij. Ai gjithashtu i ka uruar kundërkandidatit të tij për fitoren dhe i ka dëshiruar suksese në drejtimin e komunës.

“Unë do të vazhdoj të jem në shërbim të Mitrovicës dhe të të gjithë qytetarëve, me ndershmëri, përkushtim dhe dashuri për qytetin tonë, si gjithmonë”, ka përfunduar reagimin e tij Arian Tahiri.