Basha: Fitore e qartë për popullin shqiptar dhe Aleancën për Ndryshim

Dy orë pas mbylljes zyrtare të procesit të votimit, kreu demokrat Lulzim Basha deklaroi se kjo është kjo është një fitore e qartë për popullin shqiptar dhe Aleancën për Ndryshim.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu Basha theksoi se tani është detyra e numëruesve dhe komisionerëve të përmbushin me përgjegjësi detyrën e tyre.

“Faleminderit të gjithëve që zgjodhën ndryshimin. Kjo është një fitore e qartë për popullin shqiptar dhe Aleancën për Ndryshim. Vullneti i popullit është në kutitë e votimit. Kam besim se numëruesit e komisionerët do ta përmbushin me përgjegjësi dhe në fund të këtij procesi Shqipëria fiton”, u shpreh Basha.

Ndërkaq, rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, pritet të bëhen publike pas 48 orësh.

“Askush nuk e di se kush i ka fituar zgjedhjet, duhet të presim 48 orë”, tha Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi gjatë një paraqitjeje publike, menjëherë pas mbylljes zyrtare të votimit.

Ai u bëri thirrje partive politike që të përcjellin me qetësi situatën në vijim pasi, siç tha ai, është shumë e rëndësishme për sigurinë e procesit.