Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion të gjerë të mërkurën, duke bastisur Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave.

Operacioni u zhvillua njëkohësisht në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, ka konfirmuar për mediat se aksioni është ndërmarrë në koordinim me Policinë e Kosovës dhe me urdhër të gjykatës.
Ndërkohë, Policia e Kosovës bëri të ditur se bastisjet u kryen mbi bazën e dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Autoritetet paralajmëruan se detaje të mëtejshme mund të bëhen publike pas përfundimit të aksionit dhe në koordinim me organet e drejtësisë.
Ndërkohë, Kallxo.com raporton se bastisjet po bëhen nën dyshimet për përfshirje në vepra penale të disa zyrtarëve me rastin e ndërrimit të pronave të komunës së Prishtinës me disa kodra në komunën e Prizrenit.
Kjo media raporton se për këtë rast ishin arrestuar disa persona.