Bayerni fiton Ligën e Kampionëve për herë të 6-të

Bayern Muencheni është fitues i Ligës së Kampionëve për edicionin 2019/2020. Bayerni të dielën në finale e mposhti Paris Saint-Germainin me rezultatin 1:0.

Golin e vetëm e shënoi Kingsley Coman në minutën e 59-të.

Për Bayernin është titulli i gjashtë i Evropës. Është barazuar për numrin e titujve me Liverpoolin. Milani ka shtatë tituj, kurse prinë bindshëm Real Madridi me 13 tituj të kampionit të Evropës për klube.

Finalja e së dielës ishte dinamike dhe me shumë raste shënimi. Ka pasur edhe momente tensioni. Parisi duhet të pret rast tjetër për të shpresuar në titullin e parë.

Ishte ky një edicion i vështirë i Ligës së Kampionëve i ndërprerë për kohë të gjatë për shkak të pandemisë. UEFA vendosi që faza finale të luhet në Lisbonë, ndërsa ka pasur ndeshje shumë interesante.

Bayerni ka pasur një edicion impresiv. Ka fituar më herët Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë. Fillimi i edicionit ishte i vështirë për Bayernin, por me ardhjen e Hansi Flick në postin e trajnerit, nisën sukseset.

Në Champions, Bayerni i ka fituar të gjitha 11 ndeshjet.