KEK shkyç njësinë B1 të TC Kosova B, furnizimi me energji mbetet i sigurt
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se sot, rreth orës 10:00, në njësinë B1 të Termocentralit Kosova B janë evidentuar rrjedhje të konsiderueshme të avullit në sistemin e gypave brenda kaldajës. Për shkak të rrezikut teknik dhe pamundësisë për operim të sigurt, është vendosur që njësia B1 të shkyçet nga operimi para orës 18:00, si masë parandaluese.
KEK ka bërë të ditur se, pavarësisht ndaljes së njësisë B1, furnizimi me energji elektrike është i siguruar. Sistemi po operon me katër njësi gjeneruese, me prodhim ditor rreth 13,560 MWh, që mbulon mbi 87 për qind të kërkesës totale të parashikuar për ditën e nesërme.
Nevojat e mbetura do të mbulohen përmes blerjeve në bursën ALPEX dhe shkëmbimit të energjisë me KESH-in. KEK ka theksuar se opinioni do të njoftohet me kohë për rikthimin e njësisë B1 në operim, pas përfundimit të kontrollave teknike.