Bitcoin sërish shkon mbi 100 mijë dollarë 

Bitcoin ka arritur sot vlerën e më shumë se 100 mijë dollarëve, për herë të parë pas tre muajsh.

Siç raporton Bloomberg News, kjo rritje u shty nga pritshmëritë për një zbutje të tensioneve të lidhura me tarifat globale pas një marrëveshjeje të re tregtare.

Çmimi i Bitcoin arriti një rekord prej 109 mijë dollarësh në muajin janar, gjatë inaugurimit të presidentit amerikan, Donald Trump. Më pas, çmimi ra deri në 30 për qind kur tarifat e Trump shkaktuan një rënie të tregut, transmeton Telegrafi.

“Ky është një tregues i kërkesës së madhe për asetet digjitale në industri, dhe sidomos për Bitcoin,” tha Cosmo Jiang nga Pantera Capital për Bloomberg dhe shtoi se “ka gjithnjë e më shumë blerës atje. Po ashtu, po shohim përfitimet e aseteve digjitale, pasi ato nuk mund të tatohen. Ato janë gjithashtu një depozitë vlerash jo-sovrane. Në kohë stresi ekonomik, asetet digjitale përfitojnë”.

Trump të enjten njoftoi një marrëveshje tregtare me qeverinë britanike. Sektori i kriptomonedhave kishte mbështetur Trumpin gjatë fushatës dhe ka shijuar mbështetje nga presidenti që nga marrja e detyrës, megjithëse kishte disa pengesa të hershme.

Në të njëjtën kohë, angazhimet e familjes Trump në botën e kriptomonedhave kanë shqetësuar demokratët, të cilët paralajmërojnë se këto biznese përbëjnë një konflikt interesi.

Ndërkohë, Senati ishte gati të votojë të enjten për Aktin GENIUS (Guiding and Establishing National Innovation for U.S. Stablecoins), që përcakton një grup të plotë standardesh për lëshimin, mbështetje dhe funksionimin e stablecoin-eve të pagesave.

Ky legjislacion do të kërkojë që lëshuesit e stablecoin të marrin licenca, me mbikëqyrje që do të përcaktohet nga madhësia e tyre.

Entitetet me asete më pak se 10 miliardë dollarë do të rregullohen në nivel shtetëror, ndërsa lëshuesit më të mëdhenj do të qeverisen nga rregullatorët federalë.