Sunny Hill Festival

Bletët ndryshojnë sjellje, shkencëtarët japin paralajmërimin

Shkencëtarët kanë dhënë një paralajmërim të fortë pas vëzhgimit të ndryshimeve dramatike në sjelljen e bletëve të mjaltit, të cilat po përballen me vështirësi për shkak të temperaturave gjithnjë e më të larta globale. Studimet tregojnë se këto insekte po shpenzojnë shumë energji për t’u ftohur, duke rrahur krahët më fort dhe duke u strehuar në hije, çka i largon nga roli i tyre kryesor, pjalmimi i bimëve dhe riprodhimi.

Krahas ndryshimeve klimatike, bletët po përballen edhe me faktorë të tjerë stresues si pesticidet, sëmundjet dhe shkatërrimi i habitateve, që i bëjnë ato më pak rezistente ndaj nxehtësisë.

“Nëse trupi është i dobësuar dhe i ekspozuar ndaj kimikateve, rezistenca ndaj temperaturave të larta bie ndjeshëm”, ka shpjeguar ekspertja e shëndetit të pjalmuesve, Margarita López-Uribe.

Humbja e kolonive është bërë tashmë shqetësim i madh për bletarët dhe fermerët. Raportimet tregojnë se deri në një të tretën e kolonive janë zhdukur, duke sjellë pasoja të rënda për bujqësinë. Bletët janë jetike për pjalmimin e të paktën 35% të kulturave ushqimore në botë, përfshirë prodhime të rëndësishme si bajamet, mollët, qershitë dhe boronicat.

Shkencëtarët po monitorojnë nga afër këtë krizë dhe po kërkojnë zgjidhje afatgjata për të ruajtur popullatën e bletëve. Përveç kërkimeve shkencore, po zhvillohen edhe iniciativa për ta bërë mjedisin më tërheqës dhe më miqësor për pjalmuesit. Edhe qytetarët mund të ndihmojnë duke krijuar hapësira të përshtatshme në kopshtet e tyre, një hap i vogël që mund të ketë ndikim të madh në zinxhirin ushqimor global.