Brenda Shtëpisë për të Moshuarit “Jetimat e Ballkanit”, ku sot u vendosen banoret e para (Foto)

Në fshatin Gjinoc të Suharekës është bërë inaugurimi i Shtëpisë për të Moshuarit “Jetimat e Ballkanit”, me ketë rast drejtuesi i Shoqatës Humanitare, Halil Kastrati ka bërë dorëzimin e çelësave edhe për dy banoret e para të kësaj shtëpie.

Drejtuesi i shoqatës humanitare “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati në një intervistë për Telegrafin, tha se sot është realizuar projekti i tij jetësor.

“Për mua sot ka qenë ditë e veçantë përndryshe projekt i jetës time, përvoja shumë vjeçare në terren duke trokitur në shumë dyer na ka bërë neve që të marrim këtë iniciativë për fillimin e ndërtimit të kësaj shtëpie. Emocione të mëdha, ju e patë edhe në fillim të fjalimit tim për mua ishte një endërr që u bë realitet, pastaj edhe dorëzimi i çelësave për dy banorët e para shumë më emocionoj”, tha Kastrati për Telegrafin.

Kastrati tha se aplikimi për të qenë pjesë e Shtëpisë për të Moshuarit “Jetimat e Ballkanit”, ka filluar para dy javësh.

“Kemi mbi 50 kërkesa, ndër kriteret është që të jenë pa përkujdesje, të jenë banor të Kosovës, nuk duhet të ketë fëmijë ose të ketë vajzë të martuar. Për ata të moshuar që ne i kemi mbajtur me gjëra ushqimore do të kenë fatin te jenë pjesë e kësaj shtëpie. Thirrja ime është që të aplikojnë të moshuarit pa përkujdesje”, u shpreh ai.

Shtëpia e të Moshuarve “Jetimat e Ballkanit” ka 13 mijë metra katror, me një sallë të ushqimit që do të ofrojë tre shujta në ditë, ushqimet për banorë do të gatuhen sipas gjendjes shëndetësore por edhe dietave të përcaktuara nga stafi mjekësorë, kuzhina ka kapacitet për të ushqyer 250 persona.

Po ashtu, në katin e parë gjendet reparti mjekësor i cili do të jetë në shërbim 24-orë me mjekë të posaçëm për secilën fushë.

Gjithashtu, brenda shtëpisë janë 5 dhoma të urgjencës, 1 laboratorë për analiza, salla e fizioterapisë me pajisje profesionale dhe gjashtë shtretër për trajtim si dhe dhoma për rregullimin e dhëmbëve.

Në Shtëpinë e të Moshuarve “Jetimat e Ballkanit” janë 80 dhoma gjumi, gjashtë prej dhomave janë familjare.

Po ashtu, sot gjatë inaugurimit u bë e ditur se çdo kat do të ketë minibar, e gjithashtu do të kenë edhe floktarin në dispozicion.

Banorët e kësaj shtëpie do të mund të relaksohen edhe në pishinë, ndërkaq, jashtë shtëpisë gjendet   restoranti dhe amfiteatri që do t’i argëtojë banorët. /Telegrafi/

https://cdn.jwplayer.com/players/zAgRayWL-XTrGlTbj.html