Çaji i mëllagës, një aleat natyror për shëndetin e trupit dhe frymëmarrjes

Në mjekësinë tradicionale shqiptare, mëllaga e bardhë (Althaea officinalis) dhe mëllaga e kuqe (Malva sylvestris) kanë zënë gjithmonë një vend të veçantë për shkak të vetive të tyre qetësuese dhe shëruese. Sot, edhe studimet bashkëkohore e mbështesin përdorimin e këtyre bimëve si një formë natyrale për lehtësimin e shumë shqetësimeve shëndetësore, sidomos atyre që lidhen me sistemin e frymëmarrjes dhe tretjes.

Mëllaga e bardhë njihet për përmbajtjen e lartë të mukusit natyral, substancë e cila formon një shtresë mbrojtëse mbi mukozat e irrituara. Ajo përdoret gjerësisht për qetësimin e kollës së thatë dhe të dhimbjeve të fytit, për trajtimin e bajameve të inflamuara si dhe për problemet e stomakut dhe refluksit. Shpesh rekomandohet për personat që vuajnë nga gastriti apo inflamacionet e traktit urinar, pasi zbut ndjeshëm irritimin e brendshëm. Ekspertët e bimëve mjekësore këshillojnë që çaji i mëllagës së bardhë të përgatitet me ujë të nxehtë, por jo të vluar, dhe të pihet dy deri në tri herë në ditë.

Nga ana tjetër, mëllaga e kuqe është e pasur me flavonoide dhe tanina – përbërës që veprojnë si antioksidues dhe anti-inflamatorë natyralë. Kjo bimë ndihmon në pastrimin e rrugëve të frymëmarrjes, lehtëson kollën dhe redukton inflamacionin në mushkëri, fyt dhe sinuse. Përveç efekteve në sistemin respirator, çaji i mëllagës së kuqe ndikon pozitivisht edhe në tretje dhe shëndetin e zorrëve. Përdorimi i rregullt i këtij çaji përmirëson lëkurën dhe mund të përdoret edhe në formë kompese për plagë të vogla apo irritime.

Mjekët fitoterapeutë paralajmërojnë se personat që përdorin ilaçe për presionin e gjakut, diabetin apo kolesterolin duhet të kenë kujdes, pasi mëllaga mund të ndikojë në përthithjen e barnave. Gjithashtu, gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë me gji këshillohen ta përdorin vetëm me udhëzimin e mjekut.

Përdorimi i çajit të mëllagës, sipas ekspertëve, është i përshtatshëm për fëmijët mbi gjashtë vjeç që vuajnë nga kolla, për të rriturit që kanë irritim të fytit ose probleme me tretjen, si dhe për të moshuarit që duan të forcojnë sistemin imunitar.

Në një kohë kur gjithnjë e më shumë njerëz po i kthehen trajtimeve natyrale, çaji i mëllagës së bardhë dhe mëllagës së kuqe mbetet një zgjedhje e thjeshtë, e shëndetshme dhe efektive. Ai jo vetëm që qetëson trupin, por kontribuon në mirëqenien e përgjithshme, duke kujtuar se natyra shpesh ofron zgjidhjet më të buta dhe më të fuqishme për shëndetin.