Challandes: Trajtimi mediatik mund të jetë motiv shtesë për Kosovën, por motivimi më i madh është se kundërshtar kemi një skuadër si Spanja

Meqenëse Spanja nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës, trajtimi, sidomos nga mediat, para ndeshjes kualifikuese për Kampionatin Botëror, nuk ka qenë aspak i këndshëm.

La Roja të mërkurën mbrëma është nikoqire e Dardanëve në Sevilla në sfidën e vlefshme për Grupin B kualifikues për ‘Katar 2022’.

Përzgjedhësi Bernard Challandes i shoqëruar nga Hekuran Kryeziu dhe menaxheri ekipor, Bajram Shala, kanë mbajtur konferencë për shtyp, ku nuk kanë munguar edhe pyetjet që lidhen me aspektin politik të dy vendeve.

“Është e qartë se nuk mund të jemi të kënaqur me mediumet spanjolle, disa mediume spanjolle dhe kjo na jep ndoshta pakëz më shumë motivim”.

“Mirëpo, fillimisht mendoj se motivimi më i madh i lojtarëve është që të luajnë kundër futbollistëve mjaft të famshëm, një skuadre të fortë dhe është një sfidë e madhe për ekipin tonë që të luajë në këtë vend, por për futbollin dhe për asgjë tjetër”, ka thënë Challandes.