Çka ndodhi dje në vizitën e Lajçakut në Kosovë


Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak sot ka vizituar Kosovën ku edhe është takuar me krerët e shtetit.

Lajçak fillimisht ka takuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi me të cilin kanë zhvilluar një takim siç u shprehën të dy, konstruktiv dhe në favor të gjetjes së një mundësie të mirë për finalizimin e marrëveshjes Kosovë – Serbi.

Pas takimit, Thaçi dhe Lajçak folën së bashku në një konferencë për media ku secili veç e veç paraqitën për publikun pikëpamjet e tyre për takimin, dialogun dhe vazhdimin e proceseve.

Miroslav Lajçak, pas takimit të tij me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se do të vazhdojë komunikimin edhe me liderët e tjerë në Kosovë, por edhe në Serbi.

Ai ka thënë se presin që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të rifillojë shumë shpejt.

“Pritet që unë ta mbyll ketë proces që ka nis në 2011 me një konkluzion të suksesshëm dhe pikërisht kjo është ajo qe dua të bëj dhe takimi me presidentin Thaçi ishte shumë konstruktiv i dobishëm, lidhur me planet me idetë, afatet dhe metodologjinë. Ne do të vazhdojmë komunikimin edhe me liderët e tjerë, me kryeministrin, kryetaren e Kuvendit, krerët e partive politike dhe pas kësaj do të vazhdojë vizitën time në Beograd për të folur edhe me liderët atje lidhur me dialogun dhe ne presim që dialogu të fillojë shpejt”, tha Lajçak.

Po ashtu Lajçak ka komentuar edhe takimin që pritet të mbahet më 27 qershor në Ëashington, duke thënë se gjithçka që është arritur në dialog është rezultat i punës së përbashkët dhe të ngushtë mes SHBA dhe BE.

“Nuk e di sot a do të marrë pjesë në takimin në Ëashington. Gjithçka që është arritur në dialog është rezultat i punës së përbashkët dhe të ngushtë mes SHBA dhe BE dhe pikërisht është ky ambicia kanë që të vazhdojmë në mënyrën e re dhe presim bashkëpunim shumë të ngushtë me ShBA”, tha ai.

Thaçi: Angazhimi i Lajçakut të fillojë me liberalizim, e të përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse

Thaçi pas takimit me Lajçak deklaroi se procesi i dialogut me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke, derisa ka konfirmuar pjesëmarrjen e palës kosovare në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë. Në një konferencë për media pas takimit me emisarin special të BE-së për dialogun Mirolsav Lajçak, kreu i vendit tonë tha se ka njoftuar diplomatin sllovak për reformat dhe progresin e arritur në Kosovë.

Ai tha se Kosova ka një të ardhme evropiane, për çka ka falënderuar të gjitha shtetet që e kanë njohur deri më tash vendin tonë.

“Çdo përpjekje që qon në normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë qe nënkupton edhe paqe dhe stabilitet në Ballkan Perëndimor është e mirëseardhur. Dua të besoj qe do të kemi veprime konkrete dhe dobi prurëse për dy vendet dhe popujt tanë nga ky angazhim. Kosova ka implementuar shumë angazhime, kritere dhe standarde të nevojshme dhe të domosdoshme, qe ka marr si obligime ndërkombëtare edhe me dokumentin e presidentit Ahtisari, por ajo që dua të them është se për çka edhe i konfirmoma pozicionin zyrtar të shtetit të Kosovës në këtë proces edhe zotit Lajçak, është që ky proces duhet të fillojë me liberalizimin e vizave ndërsa duhet të përmbyllet në fund të këtij procesi sa më shpejtë që është e mundur, jo në një proces të pafund, me njohje reciproke të shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, tha Thaçi.

Duke folur rreth takimit në Uashington, presidenti Thaçi konfirmoi pjesëmarrjen e palës kosovare në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

“Ne kemi besim të palëkundur dhe besim të plotë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përqafojmë vlerat evropiane dhe jemi evropian, dhe në ketë drejtim do të punojmë fuqishëm që këto vlera të ngadhënjejnë por edhe të jemi të vlerësuar nga BE. E theksoj, BE, i thash edhe zotit Lajçak, është vonuar në raport me procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën, është vonuar shumë, dhe duhet të lëvizë më shpejtë. Natyrisht që Kosova do të jetë me datën 27 qershor më Shtëpinë e Bardhë, ne besojmë plotësisht në angazhimin e sinqertë dhe shumë të vendosura të administratës së ShBA-ve, por në fund të fundit për ne është me rëndësi jetike, dhe besoj qe do të ndodh, qe edhe ShBA edhe BE do të kenë një koordinim të suksesshëm si partner strategjik për Kosovën, Serbinë, Ballkanin Perëndimor për të ardhmen euroatlantike të terë rajonit si tërësi”, tha Thaçi.

Pas takimit me presidentin Hashim Thaçi, Lajçak vazhdoi sipas agjendës së tij dhe takoi kryeparlamentaren e Kosovës, Vjosa Osmanin.

Në këtë takim, Osmani ia ka shpalosur Lajçakut punën të cilën Kuvendi do të bëjë në procesin e dialogut, duke ia shpjeguar 3 pikat në të cilat duhet edhe të kornizohet ky proces.

Lajçak në anën tjetër shprehu qëndrimin e tij se puna e Kuvendit ka rol të jashtëzakonshëm në procesin e dialogut.

Osmani: Qeveria është e vetmja qe duhet të përfaqësojë Kosovën në dialog

Osmani ka thënë se Qeveria është i vetmi organ që duhet të përfaqësojë Kosovën në procesin e dialogut.

“Shprehëm gatishmërinë tonë qe si Kuvend të mbikëqyrim punën e qeverisë. Qeveria është e vetmja e cila duhet të përfaqësoj Kosovën në këtë proces. Presim që të jetë dialog në mes dy palësh të barabarta dhe ka kuptim vetëm nëse përfundon me njohje të ndërsjellë. Nuk ka negociim për territorin, sovranitetin , këto duhet të jenë parimet mbi të cilat të ndërtohet procesi i dialogut”, tha ajo.

Ndërsa Lajcak tha se takimi me kryeparlamentaren ishte mjaft konstruktiv dhe se u dakorduan që ky proces të jetë transparent dhe të ngërthej pjesëmarrjen dhe mbështetjen më të gjerë të mundshme të partive politike dhe shoqërisë.

“E njoftova zonjën kryetare për planet tona, rreth programit tone, për metodologjinë për mënyrën se si duam të vazhdojmë në shtyrjen e këtij dialogu në një përfundim të suksesshëm pa vonesë, dhe gjithashtu theksova rëndësinë e mbështetjes sa më të gjerë të mundshme të shoqërisë për këtë dialog dhe natyrisht këtu roli i parlamentit është i pazëvendësueshëm, kështu që ne të dy ramë dakord për faktin se ky proces do të jetë transparent dhe duhet të ngërthej pjesëmarrjen dhe mbështetjen më të gjerë të mundshme të partive politike dhe shoqërisë”, tha ai.

E në fund të ditës së parë të vizitës së tij në Kosovë, Lajçak takoi edhe kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti së bashku me zëvendësministrat e tij.

Në konferencën e përbashkët për media, Hoti dhe Lajçak folën për objektivat e tyre karshi dialogut, derisa emisari i BE-së, e ftoi Hotin për vizitë në Bruksel.

“Unë pres që me kabinetin, anëtarët e qeverisë sa më parë të angazhohemi në këtë proces të rëndësishëm që pas shumë viteve dialog për normalizim të marrëdhënieve dhe tani të arrijmë një marrëveshje përfundimtare që të mbyllim një kapitull të rëndësishëm në mes të dy vendeve tona dhe të sigurojmë perspektivën eurointegruese. I tregova dhe i shfaqa gjithë interesimin tonë dhe gatishmërinë tonë për të hyrë në këtë proces, jemi të përgatitur, kemi qartësuar platformën tonë, jemi duke zhvilluar konsultime për të përfshirë të gjitha palët dhe të gjitha institucionet në përputhje me kompetencat që ka secili prej institucioneve të vendit karshi këtij procesi”, tha Hoti.

Hoti tha se pret që në fund të vizitës tre ditore të Lajçak në Kosovë, të takohen përsëri për të diskutuar rreth çështjeve teknike, siç tha ai, si mund ta bëjnë këtë proces substancial dhe proces që dërgon te rezultati final si njohja reciproke mes dy vendeve dhe hapja e perspektivës evropiane për të dy vendet.

“Sot ne takim e informova në emër te qeverisë për qasjen tonë karshi procesit të dialogut, për një dialog mbyll përfundimisht një marrëveshjen dhe çështjet e hapura që i kemi me shtetin fqinj, për një dialog që qon të njohja reciproke dhe qe i hap Kosovës perspektivën euro integruese sikur çdo vend tjetër. Kjo marrëveshje është e rëndësishme sigurisht për Kosovën dhe Serbinë, për qytetarët e të dy vendeve, është e rëndësishme për gjithë rajonin dhe është e rëndësishme për stabilitetin komplet të Bashkimit Evropian, vendi ynë është Brenda Bashkimit Evropian, unë jam shumë i kënaqur dhe i inkurajuar me mesazhet që zoti Lajçak na i tregoi”, tha Hoti.

“Pa dialogun e lehtësuar nga BE kjo nuk do të ishte e mundur dhe natyrisht që dua të ndërtoj atë që është arritur tashmë dhe të shkoj më tej dhe ta çoj këtë proces në një përfundimin të suksesshëm dhe pa humbur kohë. Dhe unë gjithashtu dua të theksoj se rruga e Kosovës për në Bashkimin Evropian kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe kjo është thënë gjithashtu në mënyrë të qartë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në rezolutën e vitit 2010 e cila është baza e këtij dialogu. Unë dua që Kosova të përparoj në këtë rrugë në rrugën evropiane dhe kjo nuk mund të bëhet nga askush por vetëm nga Bashkimi Evropian. Prandaj, Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndihmojë në hapjen e së ardhmes evropiane për Kosovën”, tha ai.

Lajçak ka arritur sot në Prishtinë për një vizitë tre ditore dhe ka takuar së pari presidentin e vendit, Hashim Thaçi, pastaj kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani.

Diplomati sllovak ka thënë gjatë ditës se gjithçka që është arritur në dialog është rezultat i punës së përbashkët dhe të ngushtë mes SHBA dhe BE.