Xhavit Haliti

Defekt në energji elektrike, disa minatorë mbesin të bllokuar në Trepçë

Një defekt në furnizimin me energji elektrike ka shkaktuar një situatë të rrezikshme në Minierën e Trepçës, ku dhjetëra minatorë dyshohet se kanë mbetur përkohësisht të ngujuar nën tokë.

Sipas raportimeve nga mediat lokale, minatorët e ndërrimit të dytë janë bllokuar në horizontet 10, 9 dhe 8, qindra metra nën tokë, pasi për shkak të ndërprerjes së rrymës nuk kanë funksionuar ashensorët e minierës.

Si pasojë, ata nuk kanë mundur të përfundojnë ndërrimin në kohën e paraparë dhe dalja nga miniera është vonuar për disa orë.

Lidhur me rastin, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Jonuzi, ka konfirmuar se situata tashmë është tejkaluar.

“Po, ka pasur problem me energji elektrike, por minatorët kanë arritur të dalin nga miniera. Për informacione të tjera duhet t’i drejtoheni menaxhmentit”, ka deklaruar Jonuzi për Telegrafin.

Kjo nuk është hera e parë që në Minierën e Trepçës raportohet për situata të tilla, pasi edhe disa ditë më parë, për shkak të një defekti të ngjashëm në furnizimin me energji elektrike, disa minatorë kishin mbetur të bllokuar qindra metra nën tokë, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe kushtet e punës.