Deklarohet Bordi i Telekomit për dorëheqjen e u. d. Kryeshefes

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Telekomit ka konfirmuar së të hënën i ka miratuar dorëheqjet e Burbuqe Hanës, u. d. e Kryeshefes Ekzekutive dhe Feim Kelmendit, u.d i Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit është bërë e ditur përmes një njoftimi, të martën.

Kelmendi e kishte paraqitur dorëheqjen e tij më 7 gusht.

“Bordi fillimisht nuk kishte aprovuar dorëheqjen, por U.D. ZKFTH nuk ka tërhequr dorëheqjen dhe nuk ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim”, shkruhet në njoftim.

Ndërkohë, Ushtruesja e Detyrës së Kryeshefes Ekzekutive (U.D. KE), Burbuqe Hana kishte njoftuar për dorëheqjen e saj, por, sipas bordit, nuk ka ofruar “arsyetim konkret ligjor. Kërkesa e saj ka qenë largimi i disa konstatimeve të Bordit nga procesverbali i mbledhjes paraprake, lidhur me jo kompetencën dhe pasivitetin e treguar nga Menaxhmenti në situatën e bllokimit te llogarive bankare dhe tërheqjes se mjeteve nga Përmbaruesi”.

“Kërkesa e U.D. Kryeshefes Ekzekutive nuk ishte ligjore dhe si e tillë nuk mund të aprovohej nga Bordi. Në këtë formë dhe me këtë veprim Bordi është gjendur në një situatë të palakmueshme dhe të jashtëzakonshme. U.D. KE ka qenë kategorike në dorëhqjen e saj duke mos pranuar kompromisin me Bordin e Përkohshëm. Andaj duke marrë për bazë faktin se proceduralisht dhe ligjërisht Bordi duhej të vendoste, të njëjtës ia miratoi dorëhqjen duke e liruar nga detyra të cilën e ka ushtruar nga 24 Prill”, shkruhet në njoftim.