Sunny Hill Festival

Deputetët nuk arrijnë të konstituojnë Kuvendin

Për të 35-tën herë radhazi, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të konstituojnë përbërjen e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kjo është hera e 27-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe nuk propozojnë nga një anëtar për formimin e komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur të marrë 61 votat e domosdoshme në votimin e hapur.

Deputetët do të mblidhen sërish pas 48 orësh, përkatësisht më 23 qershor, për të vazhduar seancën konstituive, që ka nisur më 15 prill.

Deputetët nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë dhe ata të LVV-së – fitueses së zgjedhjeve të shkurtit – në deklarimet për media para dhe pas vazhdimit të seancës konstituive akuzuan njëri-tjetrin për përgjegjësinë për bllokadën e krijuar në Kuvendin e Kosovës. Partitë që ishin mandatin e kaluar në opozitë argumentojnë se LVV-ja duhet të bëjë numrat për kryeparlamentar, por LVV-ja insiston se është përgjegjësi e të gjithë deputetëve.