Deputeti i LDK-së: Qeveria Kurti shkeli Kushtetutën, duhet të largohet edhe nga detyrat e kufizuara

Deputeti nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi vendimin e Qeverisë në detyrë për kufizimin e lëvizjes. Sipas tij, një qeveri që shkel Kushtetutën duhet të largohet sa më parë, madje edhe nga detyrat e kufizuara.

Ai në një postimi në Facebook, tha se edhe kryeministri Albin Kurti edhe Presidenti Hashim Thaçi duhet ta kenë të qartë që Kuvendi i Republikës së Kosovës, është i vetmi institucion që mund të vendos për kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

“E konfirmon edhe Gjykata Kushtetuese: Qeveria Kurti ka cenuar Rendin Juridik dhe Kushtetues në Kosovë. Një qeveri që shkel Kushtetutën duhet të largohet sa më parë, madje edhe nga detyrat e kufizuara!”, ka shkruar Driton Selmanaj.