Dërguti nuk e mohon se do bëhet diplomate, arsyetohet se s’është më në PSD

Ish-deputetja e PSD-së, Aida Dërguti po raportohet se do të bëhet diplomate, dhe për të do nis procesi i rekrutimit në misione konsullore.

Bashkë me Dërgutin, janë përmendur edhe bashkëshortja e Ramush Haradinajt, Anita Haradinaj si dhe ish-deputetja tjetër e PSD-së, Shqipe Pantina.

E ish nënkryetarja e Kuvendit nuk po e mohon se do të bëhet diplomate. Ajo me anë të një postimi në Facebook nuk e ka quajtur të pavërtetë përmbajtjen e raportimit.

Dërguti është ankuar dhe ka thënë se shpifja qëndron tek fakti se nuk është kontaktuar për këtë çështje dhe se që nga vitit 2019 nuk është anëtare në PSD.

“Dy shpifje te Koha Ditore ne kete artikull: e para, nuk me ka kontaktuar dhe e dyta qe nga viti 2019 nuk jam pjese e PSD. Mos shpifni!”, ka shkruar Dërguti.

Sidoqoftë,  vlen të përmendet se AAK dhe PSD në qeverinë e kaluar Haradinaj kishin pasur një bashkëpunim mjaftë të mirë, ani pse PSD ishte në opozitë.

Ky bashkëpunim kishte vazhduar edhe në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, kur këto dy parti kishin hyrë në koalicion parazgjedhor.