Pas një periudhe të trazuar dhe luhatjesh në tregjet globale të energjisë, situata në tregun e derivateve në Kosovë po tregon shenja përmirësimi, megjithëse çmimet mbeten të larta për konsumatorët.
Ditën e djeshme, berza e naftës u mbyll me një rritje prej vetëm 15 dollarësh, duke treguar një stabilizim të lehtë pas valës së luhatjeve që kanë ndikuar në çmimet botërore të naftës si pasojë e situatës në Lindjen e Mesme.
Kështu ka bërë të ditur në një prononcim për Telegrafin, Fadil Berjani kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.
“Sot, në Kosovë çmimet e derivateve vazhdojnë të jenë: dizelli prej 1.44€ deri në 1.60€ për litër, ndërsa benzina shkon nga 1.27€ deri në 1.39€ për litër”, tha Berjani.
Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit bëhet e ditur se institucionet po monitorojnë tregun e derivateve për të parandaluar çdo praktikë të padrejtë tregtare dhe për të mbrojtur konsumatorët. Sipas tyre, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të ndërmarrë masa ndëshkuese në rast se konstatohet shkelje e ligjit.
Kjo situatë lidhet ngushtë me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, rajon ky kyç për furnizimin global me naftë.
Konfliktet dhe tensionet politike në këtë pjesë të botës kanë shkaktuar pasiguri në prodhimin dhe transportin e naftës, duke ndikuar drejtpërdrejt në luhatjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. /Telegrafi/